Studentët e Juridikut rrëfejnë për emocionet e tyre pasi zunë vendin e tretë në botë

Studentët e Fakultetit Juridik dolën të tretit, në garat Ndërkombëtare për Drejtësi.

Dy pjesëmarrëset, Dea Fetiu dhe Melisë Sejdiu, që ishin pjesë e kësaj gare, kanë folur më shumë rreth emocioneve të përjetuara.

Këtë vit kjo garë ka grumbulluar 364 ekipe nga e mbarë bota, me Kosovën që ka mbërritur në top katërshe.

“Ne kemi qenë pjesë e kësaj gare e po ashtu edhe disa paragarave. Gara në Vjenë ka filluar me 22 mars, ne kemi qenë aty që nga data 20, sepse kemi marrë pjesë edhe në paragarë tjetër. Katër ditët e para kemi qenë në rundet preliminare, në grupe ku jemi përballë me 4 universitete të ndryshme, dhe na janë mbledhur pikët e përformancës tonë, pastaj si rezultat i pikëve të larta që i kemi pasur, jemi kualifikuar në rrethin e 64 ekipeve më të mira,” u shpreh Dea Fetiu.

Ajo tregoi se rundin e parë të 64-shes e kanë kaluar me sukses kundër Universitetit të Kalifornisë në Los Angeles, këto kanë qenë runde eliminuese aty e tutje, kanë arritur të dalin në 32-shen më të mirë, pastaj në top 16 dhe 8, e pastaj në gjysmëfinale.

Qëllimi i tyre ka qenë të mbërrijnë në top 16-shen.

“Kur kemi mbërri në 16-she ishim më shumë të motivuar, kemi tentu sa më mirë të paraqesim argumentet”, u shpreh Melisë Sejdiu, duke thënë se kjo ka qenë mjaft emocionuese për to.

“Ka qenë një javë intensive, por emocionet ishin të papërshkrueshme”, u shpreh ajo.

Suksesi i studentëve të Fakultetit Juridik në gara ndërkombëtare për drejtësi tanimë është një promovim ndërkombëtar i jashtëzakonshëm i Fakultetit Juridik dhe i Universitetit të Prishtinës./dukagjini