Ngrihet aktakuzë ndaj dy të miturve për vrasjen e 18-vjeçarit në Podujevë

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Lulzim Fejzullahut, 18-vjeçarit nga Podujeva.

Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë, kështu ka thënë për Dukagjinin avokati i familjes Fejzullahu, Tomë Gashi.

“Po, iu është ngritur aktakuzë për veprën penale ‘Vrasje e Rëndë’”, ka thënë ai në përgjigje për Dukagjinin.

Deri më tani, dy të akuzuarit janë duke qëndruar në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës.Prokuroria, rastin fillimisht e kishte iniciuar si “Vrasje në tentativë”, e më pas është ricilësuar në “Vrasje”.

Më 13 shkurt, një muaj pas vrasjes, dy të miturit të cilët dyshohen për vrasjen e 18-vjecarit Lulzim Fejzullahu, kishin shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje para prokurorit të rastit.

Më 20 janar, Prokuroria ka konfirmuar masën e paraburgimit për të dyshuarit, e cila është aprovuar dhe të dyshuarit aktualisht ndodhen nën masën e paraburgimit.