Sveçla: Vuçiqi përdori Kosovën për të shkaktuar tensione në rajon dhe për t’i shantazhuar ndërkombëtarët

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se situata në veri është “e qetë, por e brishtë”.

Sveçla tha se presidenti serb Aleksandar Vuçiq e ka përdorur territorin e veriut të Kosovës për të shkaktuar tensione, që nëpërmjet tyre t’i shantazhojë Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.

“Situata në katër komunat e veriut të Kosovës është momentalisht e qetë, por e brishtë. E brishtë për shkak të tensionimeve të kohëpaskohshme, por edhe për shkak të një qasjeje destruktive të Beogradit karshi Kosovës, karshi kësaj zone, por edhe karshi edhe vetë qytetarëve tanë me kombësi serbe. Beogradi, konkretisht Vuçiqi dhe qeveria e tij, varësisht prej politikave të brendshme të tyre, kanë përdorur serbët e Kosovës, kanë përdorur këtë territor të shkaktojnë tensione jo vetëm për Republikës e Kosovës, por tensione edhe në rajon e më gjerë, duke dashur të shantazhojnë, së pari Kosovën, por edhe bashkësinë ndërkombëtare”, tha Sveçla në një intervistë për “News24”.

Sveçla foli edhe për çështjen e largimit të dinarit serb nga përdorimi në vend.

Vendimet e tilla ai tha se janë normale për një vend që aspiron të anëtarësohet në BE e NATO.

“Ne jemi shtet i pavarur dhe sovran dhe duhet të jemi po ashtu edhe një shtet normal, i pavarur dhe sovran. Nuk aspirojmë asgjë më shumë sesa të jemi një vend demokratik, ku rendi dhe ligji sundon. Dhe qoftë vendimi për dinarin, qoftë vendimet e mëhershme për targat, për energjinë elektrike, janë vendime më se normale të një vendi që aspiron të jetë pjesë e BE-së dhe NATO-s”, tha Sveçla.

Ai tha se kanë marrë besimin e qytetarëve për të marrë vendime të tilla.

Kjo, siç tha ai, është edhe “obligim ndaj së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes së vendit tonë, në qoftë se dëshirojmë që Kosova të ecë përpara, të bëhet pjesë e botës demokratike.