10 muaj nga trazirat në Zveçan, shumëçka duket ndryshe [foto + video]

Më 29 maj të vitit të kaluar qindra serbë ishin mbledhur pran objektit të Komunës së Zveçanit për ditën e tretë me radhë për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri.

Por jo sikurse ditëve të tjera, më 29 maj situata kishte eskaluar, gjë që çoi në trazira, raporton Zeri.info.

Dhjetë muaj pas, në Zveçan tashmë mbishkrimi “Republika e Kosovës Komuna e Zveçanit” është me mbishkrim në gjuhën shqipe.

Përveç mbishkrimit në shqip, në këtë komunë shihet edhe flamuri i Kosovës, kurse ai serb është mbështjellë në shtyllën ku ka qenë i vendosur.

Në objektin e Komunës tashmë edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës janë çdo ditë prezentë, por për shkaqe sigurie, edhe pjesëtarët e KFOR-it patrullojnë në atë pjesë.

“Këtu jemi, mos u bëni merak, Po ju presim”, është një mbishkrim në gjuhën shqipe që ndodhet në murin e një ndërtese para Komunës së Zveçanit, raporton më tutje Zeri.info.

Përballë ndërtesës së Komunës janë të vendosura dy tenda, në të cilat qytetarët serbë të veriut pajisen me dokumente të Serbisë, pra janë tenda që janë të vendosura nga strukturat paralele në veri të vendit.

Por përveç atyre që po furnizohen me dokumente të Serbisë, shumë serbë tashmë po pajisen me dokumente të Kosovës në këtë komunë.

Theksojmë se më 29 maj të vitit të kaluar, për shkak të trazirave të shkaktuara nga serbët, një ushtari hungarez, që shërbeu në forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR, i është amputuar këmba pas lëndimeve që ka marrë në përleshjet me protestuesit serbë në veri të Kosovës.

Përveç 19 ushtarëve hungarezë, atë ditë në komunën e Zveçanit ishin lënduar edhe 11 ushtarë italianë.

Tre nga ushtarë të Hungarisë ishin plagosur me armë zjarri.

Pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, NATO-ja ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë. /Zëri