Konjufca: Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj janë shembull i sakrificës për liri
Në 26-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, kryeparlamentari Glauk Konjufca ka bërë homazhe në Kompleksin memorial në Gllogjan, për t'i përkujtuar dhe nderuar dëshmorët Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.
Ai ka thënë se këta dëshmorë që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës janë udhërrëfyer për brezat e ardhshëm, raporton Zeri.info.
“Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj, të cilët ranë heroikisht më 24 mars të vitit 1998, nuk e dinin se pikërisht pas një viti, më 24 mars 1999 do të fillonte fushata e bombardimeve të NATO-s, kundër caqeve të forcave okupatore të Serbisë. Ata dinin vetëm se me guximin dhe vendosmërinë e tyre ishin të gatshëm të jepnin gjithçka për atë që ishte më e shtrenjtë. Ata ishin të bindur se gjaku i dëshmorëve e sjell lirinë e popullit tonë.
Shembulli i tyre është udhërrëfyes tepër i vyer për brezat e ardhshëm, prej të cilit nuk do të reshtim së mësuari, e do të frymëzohemi gjithmonë.
Lavdi e përjetshme Himë Haradinajt, Gazmend e Agron Mehmetajt, dhe të gjithë dëshmorëve të kombit!”, shkroi ai. /Zëri