Koronavirusi në Kosovë po merr jetë edhe pas gati gjysmë dekade, rasti i fundit në janar

Katër vjet më parë u shënua rasti i parë i vdekjes pas infektimit me COVID-19 në vendin tonë.

Hera e parë që dikush brenda Kosovës u konfirmua si i infektuar nga ky virus, ishte më 13 mars të 2020-tës, ku në atë kohë u shënuan dy rastet e para.

Atë ditë u konfirmua se koronavirusi ‘e kapi’ një 20-vjeçare – shtetase italiane e angazhuar me punë në Klinë, dhe një 77-vjeçar nga Vitia.

Ende pa u mbushur dhjetë ditë, u shënua edhe vdekja e parë nga ky virus, por që s’ishte shkaku i vetëm që e dërgoi drejt vdekjes 82-vjeçarin nga Dumnica e Podujevës, pasi ai kishte edhe probleme tjera shëndetësore.

“Pacienti i lindur më 1938, fshati Dumnicë, Komuna e Podujevës, është pranuar në Klinikën Infektive më 16.03.2020, në ditën e 6 të sëmundjes me shenja të infiltrimit pulmonar dhe pneumonisë masive majtas. Pacienti ka pasur edhe sëmundje shoqëruese kronike: kardiake dhe sëmundje kronike mushkërore”, thuhej në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë (IKSHPK).

Por, kanë kaluar 4 vjet nga ky rast dhe virusi në fjalë duket se është harruar nga popullata. Megjithatë, ai edhe në 2024-tën mori jetë.

IKSHPK, në një bisedë për Klankosova.tv, tregoi se më 26 janar të këtij viti, një 70 vjeçar është pacienti i fundit që vdiq nga korona, por që ajo s’ishte sëmundja e vetme nga e cila ai po vuante.

“Krahas COVID-19 kishte edhe disa diagnoza (sëmundje shoqëruese), përfshirë Cirrozën hepatike, Insufiencën renale, etj”, tha IKSHPK-ja.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë, mes tjerash njoftoi se aktualisht në Klinikën Infektive po trajtohet një pacient me COVID-19, tash e disa ditë.

Infektologu Arben Vishaj, tha se herë pas here po paraqiten raste me rezultat pozitiv që zakonisht vijnë nga klinika tjera, dhe transferohen në Klinikën Infektive.

“Ne kemi herë pas here pacientë që rezultojnë pozitiv me COVID-19. Këta pacientë janë zakonisht nga klinikat tjera që rezultojnë pozitiv dhe transferohen te ne. Kryesisht pacientë në moshë dhe me sëmundje tjera, në radhë të parë malignitet”, tha ai për Klankosova.tv.

“Nuk janë raste nga koronavirusi direkt – janë raste me kancer me metastaza ose leukemi stadi i avancuar. Këta kanë rënë në kontakt me COVID-19 dhe janë infektuar”, theksoi infektologu Vishaj.

Më 24 mars 2023 institucionet shëndetësore në Kosovë e patën shpallur të përfunduar pandeminë e COVID-19.

Deri në atë ditë sipas statistikave virusi me këtë emër kishte marrë 3 mijë 217 jetë, derisa të infektuar sipas statistikave zyrtare kanë qenë 273 mijë e 935 persona.