Oda Amerikane reagon ndaj Ministrisë që suspendoi një përmbarues privat

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thotë se shpreh shqetësim të thellë lidhur me suspendimin së fundmi të një përmbaruesi privat nga ana e Ministrisë së Drejtësisë.

“Ky veprim, siç perceptohet nga Oda Amerikane dhe anëtarët e saj, përbën një shembull shqetësues të ndërhyrjes në proceset e pavarura gjyqësore të Kosovës. Si avokuese prijëse për interesat e bizneseve dhe investitorëve në Kosovë, Oda Amerikane beson fuqishëm se sundimi i ligjit dhe pavarësia e gjyqësorit janë shtylla themelore për një mjedis të fortë dhe të favorshëm biznesi. Është thelbësore të theksohet se sundimi i ligjit në thelb përfshin kufizimin e ushtrimit arbitrar të pushtetit duke iu nënshtruar kornizës së mirëfilltë ligjore”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, Oda Amerikane ka shprehur shqetësimet e saj lidhur me sulmet verbale të përfaqësuesve të ekzekutivit dhe legjislativit ndaj pushtetit gjyqësor dhe institucioneve të drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe gjykatat e tjera.

“Sulmet e tilla gërryejnë më tej besimin në pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor të Kosovës, i cili është thelbësor për sigurimin e procedurave të drejta dhe transparente ligjore për bizneset dhe investitorët”.

Oda Amerikane tha se themelimi i funksionit të përmbaruesit privat, i mbështetur nga USAID-i, ka qenë instrumental në asistimin e institucioneve të Kosovës për të përmirësuar përmbarimin e aktvendimeve civile, duke reduktuar në mënyrë dramatike numrin e lëndëve të pazgjidhura përmbarimore në sistemin gjyqësor të Kosovës.

“Ky funksion jo vetëm që rrit efikasitetin e proceseve gjyqësore, por gjithashtu kontribuon në nxitjen e një mjedisi më të favorshëm për bizneset dhe investitorët, duke siguruar zbatimin në kohë dhe efektiv të vendimeve ligjore”.

“Ndërhyrja e Ministrisë së Drejtësisë jo vetëm që i minon këto shtylla, por gjithashtu i kontribuon rritjes së paparashikueshmërisë dhe mungesës së transparencës rreth kuadrit ligjor dhe rregullativ të vendit dhe respektimin e normave dhe praktikave ndërkombëtare për përmbarimin e aktvendimeve të arbitrazhit ndërkombëtar. Suspendimi i përmbaruesit, për herë të dytë, si vijimësi e rasteve të mëparshme të ndërhyrjeve të perceptuara, dërgon një sinjal shqetësues për investitorët vendas dhe ndërkombëtarë. Ai vë në dyshim garantimin e mbrojtjes ligjore dhe zbatueshmërisë së kontratave në Kosovë. Një klimë e tillë e pasigurisë është e dëmshme për mjedisin e biznesit, duke penguar investimet, rritjen ekonomike e rrjedhimisht edhe përmirësimin e mirëqenies së përgjithshme. Dështimi për të respektuar ndarjen e pushteteve cenon parimet demokratike dhe proceset integruese euroatlantike. Respektimi i këtij parimi mbron nga përqendrimi i pushtetit si dhe mbron pavarësinë e institucioneve kyçe, përfshirë gjyqësorin”.

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Ministrisë së Drejtësisë të marrë parasysh implikimet më të gjera të veprimeve të saj në klimën e biznesit në Kosovë.

“Rikonfirmimi i përkushtimit ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe sundimit të ligjit është imperativ për zhvillimin ekonomik dhe besimin e investitorëve”.