Kosova pritet të bëhet me teleskopin më të madh diellor, flet astronomia kosovare Pranvera Hyseni

Astronomia kosovare Pranvera Hyseni, e cila aktualisht po kryen studimet e saj të doktoratës në Astronomi Planetare në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz të SHBA-së, ka paralajmëruar sjelljen e një teleskopi diellor në Kosovë.

Në një intervistë për Telegrafin, ajo ka zbuluar detajet rreth kësaj pajisjeje të veçantë dhe rëndësisë së saj në fushën e astronomisë në vendin tonë.

Hyseni ka zbuluar se teleskopi diellor është i dizajnuar për vëzhgimin e Diellit, pasi përfshin filtra specifikë që bllokojnë rrezet e dëmshme dhe mundësojnë një shikim të sigurt të yllit më të madh.

Teleskopi, i cili do të instalohet në observatorin e ri në Shtime, sipas saj është një nga më të mëdhenjtë në Gadishullin Ballkanik, si dhe pritet të jetë një shtesë e rëndësishme për komunitetin shkencor dhe edukativ të rajonit.

“Teleskopin të cilin e kam shfaqur në rrjetet e mia sociale është një ndër teleskopët më të mëdhenj në Gadishullin Ballkanik. Është teleskop diellor. I dizajnuar në atë mënyrë që vetëm diellin mund ta shohim përmes këtij teleskopi, sepse ka filtera specifik që i bllokojnë rrezet e diellit dhe gjërat tjera të cilat mund të na i dëmtojnë sytë”, ka thënë ajo.

Hyseni për ta dëshmuar madhësinë e këtij teleskopi kishte publikuar një foto në rrjetin social në Facebook.

“Edhe gjatësia është shumë e madhe. Prandaj edhe fotografinë që e kam ndarë në rrjetet sociale në Facebook e kam nda me qëllim që ta ilustrojë gjatësinë e këtij teleskopi”, ka shpjeguar ajo.

Hyseni gjithashtu foli edhe për observatorin në Komunën e Shtimes, i cili sipas saj pritet të inaugurohet në muajin qershor të këtij viti.

Ajo gjithashtu tregoi edhe momentin e parë kur u takua me djemtë e astronautit të parë i cili shkeli në hënë në vitin 1969, Neil Amstrong.