Deputeti i LVV-së lëvdon Kurtin pas vendimit për tokat e Manastirit

Qeveria e Kosovës i ka dhënë dritën jeshile Agjencisë Kadastrale të Kosovës të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat e Manastirit të Deçanit.

E megjithëse ky vendim u kritikua nga opozita, janë deputetët e pushtetit të cilët kanë thurur lëvdata për kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ishte i guximshëm për këtë çështje.

Deputeti i LVV-së, Gazmend Gjyshinca, ka thënë se ky vendim ishte i vështirë, por tregon pjekurinë e guximin politik të qeverisë “Kurti”.

“Nën lidershipin e kryeministrit Kurti, Kosova po hapëron e sigurt drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Gjë që do t’i sjellë shumë të mira shtetit dhe popullit tonë, ndër to edhe të qenit nën juridiksionin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Vendimi i sotëm edhe pse shumë i vështirë, duke e ditur kronologjinë e kontekstin e tij si proces, është dëshmi e fortë për guximin, pjekurinë politike dhe prioritizimin strategjik në dobi të interesit të shtetit që ka qeveria ‘Kurti’”, shkroi ai në një postim në Facebook. /Zëri