Feminizmi është një universalizëm
Të drejtat e grave nuk reduktohen vetëm në pranimin e luleve më 8 mars, pavarësisht nga simbolika që lidhet me të.
Përkundrazi, kjo ditë është një mundësi për t’u interesuar për 364 ditët e tjera të vitit (madje sivjet 365), për të bërë një bilanc të veprimeve që mund të jenë realizuar (ose jo) për të siguruar respektimin e të drejtave të grave.
Parlamentarët francezë kanë bërë shumë më tepër sesa dhurimi i luleve: disa ditë para 8 marsit, ata vendosën të përfshijnë të drejtën e abortit në kushtetutë me një shumicë dërmuese të dyja dhomave së bashku (780 për, 72 kundër).
Kjo nuk është një dhuratë, por një njohje e një aspirate legjitime të grave për të vendosur për trupin e tyre.
Franca është vendi i parë në botë që i jep mbrojtje kushtetuese ndërprerjes vullnetare të shtatzënisë.
Ky është një motiv krenarie sepse, me këtë miratim pothuajse unanim, Franca tregon se është ende një ofrues i ideve të përparimit dhe lirisë dhe mund të frymëzojë edhe përtej kufijve të saj.
Krenaria nuk e pengon përulësinë. Përulësi sepse Franca nuk ka qenë gjithmonë e para në njohjen e të drejtave të grave. Përulësi, para së gjithash, duke kujtuar të gjitha ato gra që për shumë vite e kanë paguar me lotët, vuajtjet, vdekjen e tyre mungesën e një mundësie ligjore për abortin.
Përulësi duke kujtuar gjithmonë të gjithë ata që jetojnë në vende ku kjo e drejtë mbetet e shkelur, me ligj apo në praktikë.
Së fundi, përulësi, sepse në Francë ka ende një rrugë të gjatë për të bërë për barazinë e vërtetë midis burrave dhe grave, e cila reflektohet në fakte dhe në praktikë. Kjo luftë për barazi midis burrave dhe grave nuk është një luftë gjinore.
Përkundrazi: kur duam të atakojmë liritë e një populli, gjithmonë fillojmë me sulme ndaj grave. Duke mbrojtur barazinë midis grave dhe burrave, ne po mbrojmë barazinë midis çdo qenieje njerëzore. Feminizmi është një universalizëm.
Prandaj, diplomacia franceze është një diplomaci feministe.
Çfarë do të thotë diplomaci feministe? Kjo fillon me një komponent kombëtar dhe një kërkesë të brendshme brenda ministrisë sonë për të arritur barazinë midis grave dhe burrave nëpërmjet disa masave: emërimi i mjaftueshëm i grave në detyra me përgjegjësi, ndihma e grave dhe burrave nëpërmjet mentorimit dhe trajnimit të duhur për të çliruar veten nga stereotipet që ne të gjithë, si burrat ashtu edhe gratë, shpesh jemi të brendësuar në mënyrë të pandërgjegjshme dhe të ndihmohen gratë t’i thyejnë tavanet e xhamit.
Nga ana e jashtme kjo nënkupton edhe diplomaci që e bën mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të grave dhe vajzave një ndër prioritetet e veprimit tonë. Vitet e fundit është krijuar një rrjet referuesish lidhur me barazinë, të pranishëm në çdo post për të siguruar zbatimin e kësaj diplomacie feministe.
Në Kosovë, Ambasada e Francës rregullisht kryen aktivitete konkrete, në terren, në komuna, në shkolla. Gjithmonë në partneritet, sepse, çdoherë për hirë të përulësisë, nuk kemi mësime për të dhënë, por kemi përvoja për të ndarë.
Vitin e kaluar financuam një aktivitet të OSBE-së për të ndihmuar komunat të organizohen në luftën kundër dhunës në familje dhe për të mbrojtur viktimat. Ky aktivitet ishte pjesë e zbatimit të Konventës së Stambollit, universalizimin e së cilës mbron Franca.
Këtë vit ne po mbështesim një OJQ kosovare, EcoKosWomen, që të kryejë aktivitete në dy drejtime: së pari të sensibilizojë dhe të shpjegojë nëpër shkolla se çfarë janë menstruacionet dhe pse ky realitet i trupit të femrës, ndonëse është intim, nuk është tabu.
Një aktivitet i realizuar me vajza të reja dhe gjithashtu djem të rinj. Më pas EcoKosWomen, sërish me mbështetjen tonë, kryen aktivitete për t’i bindur vendimmarrësit për uljen e çmimit të produkteve të higjienës menstruale dhe në veçanti për TVSH-në.
Produktet e higjienës menstruale taksohen sikur të ishin një luks, edhe pse ato janë nevoja elementare. Në Francë, ne e kemi ulur këtë taksë në normën minimale.
U bëj thirrje të gjithë liderëve politikë, dhe partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, që menjëherë ta adresojnë këtë çështje që nuk është çështje partiake por politike: kush dëshiron t’i taksojë produktet e higjienës menstruale si produkte luksi?
Bashkimi Evropian bazohet në vlerat e pandashme dhe universale të dinjitetit njerëzor, lirisë, barazisë dhe solidaritetit. Duke u siguruar që gratë të vendosin vetë për trupin e tyre, duke punuar në mënyrë që trupi i tyre të mos jetë më objekt tabush, burim ndalimesh apo paragjykimesh, ne po avancojmë në Francë dhe në Kosovë drejt të njëjtit ideal. Ambasada është krenare që e përkrah Kosovën në këtë rrugë.
Ambasada ndan gjithashtu krenarinë e gjithë Francës për organizimin e Lojërave Olimpike dhe Paralimpike këtë verë, të cilat synohen gjithashtu të jenë të barabarta.
E takova ekipin e Kosovës në xhudo në qendrën e tyre stërvitore në Pejë dhe më impresionoi atmosfera e seriozitetit, dhe një qetësi që shpreh siguri. Sukseset e Kosovës në këtë sport janë mahnitëse dhe gratë dhe vajzat janë në ballë të tij.
Ato në masë të madhe kanë kontribuar në ngritjen e flamurit me ngjyrë të kaltër dhe të verdhë të Republikës së Kosovës duke bërë të jehojë himni i saj. Këtë verë sigurisht që do të mbështes sportistët francezë, por zemra ime do të jetë edhe me luaneshat kosovare në tatami të xhudos.
Opinion i shkruar nga ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas