Çfarë është sindroma Tourette?
Sindroma Tourette është një problem me sistemin nervor që i bën njerëzit të bëjnë lëvizje ose të lëshojnë tinguj të papritur, të quajtur tike, që nuk mund t’i kontrollojnë.
Për shembull, dikush me Tourette mund të pulisë sytë ose pastrojë fytin pa pushim.
Disa njerëz mund të thonë fjalë që nuk kanë ndërmend t’i thonë.
Trajtimet mund të kontrollojnë tiket, por disa njerëz nuk kanë nevojë për asnjë trajtim nëse simptomat nuk i shqetësojnë.
Shkaqet
Gjatë studimeve, Tourette është lidhur me pjesë të ndryshme të trurit, duke përfshirë një zonë të quajtur ganglia bazale, e cila ndihmon në kontrollin e lëvizjeve të trupit. Dallimet në këtë zonë mund të ndikojnë te qelizat nervore dhe substancat që transmetojnë mesazhet mes tyre.
Studiuesit mendojnë se telashet në këtë rrjet të trurit mund të luajnë një rol në sindromën Tourette.
Mjekët nuk e dinë saktësisht se çfarë i shkakton këto probleme në tru, por gjenet ndoshta luajnë një rol të rëndësishëm. Ka të ngjarë që ka më shumë se një shkak. Djemtë preken tre deri në pesë herë më shpesh sesa vajzat.
Simptomat
Simptomat kryesore janë tiket. Disa janë aq të lehtë sa nuk bien në sy. Të tjerët ndodhin shpesh dhe janë të dukshëm. Stresi, gëzimi ose të qenit i sëmurë ose i lodhur mund t’i përkeqësojë ato. Tiket më të dallueshme mund të ndikojnë në jetën shoqërore të individëve.
Tiket ndahen në tike motorike dhe vokale. Tiket motorike përfshijnë kërcitjet e krahut ose kokës, pulitjen e syve, bërjen e një shprehie të caktuar, ngritjen e supeve etj. Tiket vokale përfshijnë pastrimin e fytit, kollitjen, brohoritjen, nuhatjen, përsëritjen e asaj çfarë thotë dikush tjetër etj.
Mjekët nuk janë të sigurt pse, por rreth gjysma e njerëzve me Tourette gjithashtu kanë simptoma të çrregullimit të hiperaktivitetit dhe të vëmendjes (ADHD).
Tourette gjithashtu mund të shkaktojë probleme me:
– Ankthin
– Paaftësinë për të mësuar siç është disleksia
– Çrregullimin obsesiv-kompulsiv (OCD).
Trajtimi
Shumë herë, simptomat janë të lehta dhe nuk kanë nevojë për trajtim. Në të kundërt, një mjek specialist mund t’ju ndihmojë.
Këshillohet terapia e bisedës dhe ajo e sjelljes.