Ç’synoi Macroni me idenë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë?
Presidenti francez, Emmanuel Macron është parë i izoluar në skenën evropiane këtë javë, pasi ka thënë se mundësia e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë nuk duhet të përjashtohet, koment që ka nxitur reagime prej shumë liderëve tjerë.
Zyrtarët francezë kanë tentuar më vonë të japin sqarime për deklaratën e Macronit, ndonëse kanë insistuar në nevojën e dërgimit të sinjaleve të qarta se Rusia nuk mund të fitojë në Ukrainë.
Kremlini ka paralajmëruar që nëse NATO-ja dërgon forca luftarake, atëherë një konflikt mes aleancës dhe Rusisë do të jetë i pashmangshëm.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka thënë se një veprim i tillë mund të rrezikojë një konflikt bërthamor global.
Deklarimi i Macronit, reagimi i aleatëve
Macron e ka përmendur mundësinë e angazhimit të ushtarëve perëndimorë për t’i ndihmuar Ukrainës, teksa ka folur në një konferencë për media, pas një takimi me 20 liderë shtetesh dhe zyrtarë tjerë të lartë në Paris.
Macron ka thënë se nuk ekziston konsensus për t’i angazhuar trupat, mirëpo “sa i përket dinamikës, asgjë nuk mund të përjashtohet”.
Nuk dihet se cili ka qenë sinjali i qartë që ka tentuar të dërgojë Macroni, mirëpo “nuk është thënë rastësisht”, ka thënë Phillips O’Brien, profesor i studimeve strategjike në Universitetin Shën Andrews në Skoci.
“Mund të jetë pak paralajmërim” për Rusinë “që kjo mund të ndodhë, prandaj përgatituni”, ka thënë O’Brien.
Macron ka qenë më i qartë kur ka folur për evoluimin e qëndrimeve të liderëve evropianë, prej nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
“U rikujtoj që dy vjet më parë, shumë njerëz afër kësaj tavoline kanë thënë se do të ofrojnë helmeta dhe shtretër për fjetje. Sot jemi duke thënë se na duhet të punojmë më shumë dhe më shpejt për të siguruar raketa dhe tanke”.
Pas këtyre deklaratave, zyrtarë prej Gjermanisë, Polonisë dhe shteteve tjera, që kanë marrë pjesë në takimet në Paris, kanë tentuar të distancohen prej komenteve të Macronit, duke thënë se nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë.
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i ka thënë agjencisë së lajmeve Associated Pres se “nuk ka plane për angazhim të trupave të NATO-s” në terren.
Sqarimi francez
Ministri francez i Mbrojtjes Sebastien Lecornu, ka thënë se diskutimet për mundësinë e dërgimit të trupave perëndimore në Ukrainë, kanë të bëjnë me mundësinë e dërgimit të njerëzve për të ndihmuar në procese të çminimit dhe operacioneve të trajnimit, larg prej vijës së frontit.
Ai ka thënë se nuk ekziston ndonjë konsensus prej këtyre diskutimeve.
Ministri i Jashtëm francez, Stephane Sejourne, ka thënë se ky lloj i prezencës ushtarake nuk do të “kapërcente pragun luftarak”.
Një diplomat francez, që ka qenë në dijeni të bisedimeve në Paris, ka thënë se synimi ka qenë te “dërgimi i një sinjali të qartë për presidentin Putin që edhe diçka e tillë ekziston si mundësi dhe nuk mund të përjashtojë faktin që asnjë prej partnerëve të Ukrainës nuk do të përfshihet”.
Ky diplomat ka folur vetëm në kushte anonime për këtë çështje.
Ai ka thënë se Macron “nuk e ka hedhur poshtë këtë mundësi për një arsye, siç e kemi parë, ne po bëjmë shumë gjëra që i kemi përjashtuar dy vjet më parë”.
Parisi ka thënë se bisedimet me shtetet aleate do të vazhdojnë në takimet e ministrave të Jashtëm dhe atyre të Mbrojtjes në ditët në vijim.
Ndryshimi i qëndrimeve të Macronit ndaj Rusisë
Pasi Rusia e ka nisur pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, Macroni e ka mbajtur një linjë të hapur të komunikimit me Putinin.
Ai pati thënë në qershor të vitit 2022 se presidenti rus e ka bërë një “gabim historik”, mirëpo fuqitë botërore nuk duhet të “nënçmojnë Rusinë, pasi kur luftimet të përfundojnë, ne mund të krijojmë një rrugë të re përmes mundësive diplomatike”.
Këto deklarata janë kritikuar, atëbotë, prej Ukrainës dhe shumë aleatëve të Francës.
Macroni ka folur për herë të fundit me Putinin në shtator të vitit 2022, dhe qysh atëherë e ka pasur një qasje më të ashpër ndaj tij. /REL
Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: