Polifonia, kënga që kapërcen kufijtë gjeografikë e ata kohorë
Arian Shehu, një “Mjeshtër i Madh” i polifonisë, është lideri i grupit “Ergjëria” që fillesat i ka prej vitit 1978, me bashkimin e djemve të rinj të lagjes Dunavat i Parë. DRTK Gjirokastër kujton se ishte pikërisht ai, “marrësi” i cili u bë dhe shtysa kryesore e formimit të grupit të lagjes.
Emrat të cilët iu bashkuan grupit ishin: Mevlut Meleqi, Gëzim Haska, Fatos Haska, Jani Hysi të cilët spikatën si grup i të rinjve në Sheshin e Çerçizit.
Koncertin e parë ky grup i këngës polifonike e mbajti pikërisht në Sheshin e Çerçizit, ku interpretuan këngën “Sado Meleqi”, që më pas dëgjohej në radion e qytetit.
Vitet `80 u shenjuan nga arritjet më të mëdha të këtij grupi, me çmime të para në festivale. Kënga e tyre arriti të dëgjohet edhe përtej detit deri në vitin 1994 ku dhe grupi u nda dhe Arian Shehu krijoi grupin e tij me emrin “Ergjëria”, duke e çuar polifoninë shqiptare në shtete të tjera si Francë, Suedi, Danimarkë, Greqi etj.
Tashmë grupi ka marrë titullin “Mjeshtër i Madh” dekoruar nga Presidenti i Republikës si dhe në vitin 2023 titulli “Mjeshtër i Madh” për liderin e grupit Arian Shehu i cili me dashurinë për polifoninë iu shërben edhe sot brezave me përkushtim duke besuar se polifonia duhet mbajtur gjallë në breza.
DRTK Gjirokastër shkruan se së fundmi grupi ka marrë ftesë nga shteti francez për të performuar kënget e vjetra të cilat i rezistojnë çdo kohe.