Tetë muaj nën masa ndëshkuese të BE-së, s’ka lëvizje për heqjen e tyre
Me gjithë gatishmërinë e Kosovës për shtensionim të gjendjes në veri të vendit, përfshirë edhe hapat për zgjedhje të reja atje, ende nuk ka ndonjë lëvizje të BE-së në drejtim të heqjes së masave ndëshkuese.
Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, thotë se nuk ka asnjë arsye që Kosova të jetë nën masa ndëshkuese, teksa vlerëson se heqja e tyre po kushtëzohet me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nuk mendoj që qëndron çështja te zgjedhjet sepse tashmë qytetarët në veri janë duke mbledhur nënshkrime…dhe me dëshirën e tyre kryetaret mund t’i largojnë…Nuk mendoj që ka arsye qe Kosovës t’i qëndrojnë këto masa. Më e pakëta që duhet të bëhet është heqja e masave ndaj Kosovës dhe vendosja e tyre Serbisë. Problem kyç është moszbatimi i Asociacionit nga qeveria e cila ka të drejtë plotësisht…”, tha Rexhaj.
Opozita, ndërkaq, nuk pret që masat e BE-së të hiqen në këtë fazë. Anëtari i Kryesisë së PDK-së, Zenun Pajaziti, kritikon Qeverinë për këtë çështje, duke vlerësuar se pasojat e këtyre masave ndëshkuese janë të mëdha.
“Ne nuk dimë mik dimë sa do të zgjasin dhe nuk e dimë cili është vizioni i kësaj qeverie. Kjo qeveri s’është se e ndjek një vizion të qartë për vendin, ndjek agjendë populiste për votat e saj”, tha Pajaziti.
Masat ndëshkuese ndaj Kosovës BE-ja i vendosi pas rritjes së tensioneve në veri në fund të majit të vitit të kaluar. /RTV21