Guvernatori Ismaili bisedon me ambasadorët Bajrami e Zemaj për aktualitetet në sistemin financiar të vendit
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, dje ishte në Bruksel së bashku me zëvendësin e tij, Dardan Fusha, për të biseduar me ndërmjetësuesin e BE-së dhe me palën serbe për çështjen e heqjes së dinarit serb nga përdorimi në vend.
BQK-ja njoftoi se në kryeqendrën evropiane u takuan edhe me ambasadorin e Kosovës në Belgjikë, Luksemburg dhe BE Agron Bajramin dhe ambasadorin e Kosovës për marrëdhënie me NATO-n, Astrit Zemaj.
Me ta BQK-ja thotë se “është biseduar për aktualitetet në sistemin financiar të vendit”.
“Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe lidhur me aktivitetet e BQK-së në kuadër të projektit të BE-së për Modernizimin e Sistemit të Pagesave të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht anëtarësimit në Zonën e Vetme të Pagesave të BE-së, çështjen e përpjekjeve për Kartonin e Gjelbër, si dhe adresimin e çështjeve që lidhen me platformat globale të pagesave”, thuhet në komunikatën e BQK-së.
BQK-ja thotë se delegacioni i saj i njoftoi ambasadorët edhe “lidhur me avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative sipas direktivave të BE-së dhe standardeve më të larta ndërkombëtare”.
“Ambasadori Bajrami shprehu mbështetjen e tij për të kontribuuar në proceset e rëndësishme integruese dhe përafrim të legjislacionit me Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatë. /Zëri