Zbulohet hapi i ardhshëm i Xavit pas largimit nga Barcelona në fund të sezonit
Është e sigurt për të thënë se dy vitet e fundit dhe katër muajt kanë qenë tepër stresues për Xavi Hernandez, ani pse ai ka pasur një periudhë të suksesshme në krye të Barcelonës, përkundër krizës financiare.
Aventura e tij me ekipin e parë do të vijë drejt fundit në përfundim të këtij sezoni, ashtu siç vet ai ka paralajmëruar muajin e kaluar.
Xavi ka pranuar se disa faktorë të ndryshëm kanë ndikuar në vendimin që ai ka marrë, kështu që nuk është një befasi se ai po synon të marrë një vit pushim nga futbolli sapo koha e tij tek Barcelona të përfundojë zyrtarisht.
Sipas Diario AS, 44-vjeçari nuk ka për qëllim që të marrë drejtimin e ndonjë ekipi gjatë sezonit 2024/2025, për shkak se dëshiron që të shpenzojë më shumë kohë me familjen e tij, të cilët po ashtu kanë vuajtur gjatë kohës së tij në Kataloni.
Sidoqoftë, raporti shton se kjo mund të ndryshojë në rast se ai merr një ofertë e cila është vështirë të refuzohet. Nuk është e qartë në këtë fazë se çfarë mund të jetë kjo, ani pse me shumë mundësi ai do konsideronte një ofertë nga top pesë ligat evropiane.
Qëndrimi i Xavit është totalisht i kuptueshëm, pasi futbolli e ka një mënyrë që i ‘konsumon’ personat që janë të përfshirë në të, veçanërisht tek një ekip si Barcelona.
Kur ai do t’i rikthehet zejës së trajnerit do të jetë interesante për të parë se ku do të përfundojë, por momentalisht, fokusi i tij i plotë mbetet që ta mbarojë sezonin aktual me të paktën një trofe të fituar./Telegrafi/