Kosova eksportoi më së shumti produkte për muajin janar në SHBA

Kosova për muajin janar ka eksportuar mallra në vlerë  të  60,3 milionë eurove, kurse ka importuar mallra në vlerë të 380,0 milionë eurove, që është një rënie prej (-3,0%) për eksport, si dhe një rritje prej 7,4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2023.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se prej shteteve të botës në të cilat Kosova ka eksportuar më së shumti për këtë periudhë është ShBA-ja me 14,6 për qind.

Ndërsa në Bashkimin Evropian Kosova eksportoi më së shumti në Gjermani me 8,8 për qind.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 18,4 milion Euro, ose rreth 30,5% e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-6,9%). Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (8,8%), Italia (4,7%), Holanda (3,1%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 164,4 milion Euro, ose 43,3% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 10,1%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (12,8%), Greqia (7,2%), Italia (3,7%), etj.

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 21,8 milion Euro, ose 36,1% të eksporteve  të përgjithshme, me një rënie prej (-16,2%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (12,4%), Shqipëria (11,8%),  Serbia (6,3%), Mali i Zi (3,9%).

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 57,7 milion Euro, ose 15,2% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-5,8%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (7,6%), Maqedonia e Veriut (4,7%), Serbia (1,9%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 20,1 milion Euro, ose 33,4%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: SHBA (14,6%) dhe  Zvicra (9,3%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 158,0 milion Euro, ose 41,6%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15,4%) dhe Kina (11,3%).

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 25,4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, 19,3% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar, 13,1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, 8,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 6,2% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17,2% e përbëjnë produktet minerale, 11,6% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, 11,6% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike, 11,2% e përbëjnë mjetet e transportit. 9,3% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, etj