Anton Nikë Berishaj fiton çmimin “Azem Shkreli”

Në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë, Ministria e Kulturës ka ndarë çmimet për letërsi.

Çmimin kryesor letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” e fitoi autori Anton Nikë Berishaj, raporton Zeri.info.

Ndërsa, çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” iu dha shkrimtarit Afrim Demiri për përmbledhjen me tregime “Figura e 17-të”.

Çmimi “Ali Podrimja” për veprën më të mirë në poezi iu dha Halil Matoshit për përmbledhjen “Lil’s poem”.

Çmimi për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova" ndahet nga dy autorë, Kujtim Shala për veprën “Kënga e cjapit” dhe Nysret Krasniqi për veprën “Ekuilibri letrar”.

Çmimi për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe “Pjetër Bogdani" iu dha Blertë Ismajlit, për përkthimin e veprës së Jyrgen Habermasit “Transformimi i ri i sferës publike dhe politika deliberative”, ndërsa çmimin për veprën më të mirë për fëmijë dhe të rinj “Vehbi Kikaj”, juria ka vendosur të mos e japë sivjet për shkak të prurjeve të varfëra.

Ministria bën të diutr se juria që ka bërë përzgjedhjen e fituesve ka qenë në përbërje nga Bardh Rugova, kryesues dhe anëtarët Azem Deliu, Vlora Ademi, Alban Beqiraj dhe Naime Beqiraj. /Zëri