Promovohet libri “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi” i ish-presidentit Fatmir Sejdiu
Në prag të 16-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës është promovuar libri “Ora e Kosovës – Pavarësia dhe shtetndërtimi”, i ish-presidentit Fatmir Sejdiu.
Sejdiu ka falënderuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në promovimin e librit të tij, që u bë në ambientet e Bibliotekës Kombëtare, raporton Zeri.info.
“Libri ‘Ora e Kosovës’, vjen në këtë 16-vjetor të pavarësisë së vendit duke rikthyer në kujtesën e gjithsecilit prej nesh të djeshmen, përpjekjet dhe sfidat e shumta për të ardhur deri tek Ora e Kosovës, që ndodhi më 17 shkurt 2008.
Jam përpjekur që sado pak gjithë kapërcimet e shoqërisë sonë, njerëzve të Kosovës, miqve tanë në orët më të vështira të vendit tonë, por edhe në orët më të mira të tij t’i paraqes brenda këtij teksti.
Shpresoj që ky libër do t’u shërbejë edhe gjeneratave të ardhshme, si burim reference për shumë zhvillime qenësore për qenien dhe mirëqenien e shoqërisë sonë”, shkroi Sejdiu në Facebook. /Zëri