“Kurti bëri autogol”, profesori amerikan kritikon edhe Bidenin për Kosovën
Albin Kurti kishte gjithë shanset që ta shfrytëzonte momentin ku e hodhi vetë Serbia me sulmet në Banjskë dhe në vend që të bënte “gol me portën bosh”, ai bën “autogol në portën e vet".
Profesori i Universitetit, Johns Hopkins në Amerikë, Edward P. Joseph, në një intervistë A2CNN, ka bërë një analizë të thellë të momentit ku ndodhet rajoni dhe marrëdhëniet e Kosovës me aleatët.
Gjithashtu, profesori i njohur e ka lidhur vizitën e Blinkenit në Tiranë me një rrëshqitje të pushtetit në autokraci në disa vende të Ballkanit pikërisht tani që bota ka nevojë për demokraci.
A2 CNN: Cili është opinioni juaj për zhvillimet e fundit në dialogun Prishtinë-Beograd? A mendoni se ky proces ka ngecur dhe ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian nuk po e bëjnë punën siç duhet, duke marrë në konsideratë edhe kritikat e vazhdueshme të Kosovës ndaj Zotit Borrel dhe Lajçak?
Edward P. Joseph: Mendoj se çdo palë ka përgjegjësinë e saj këtu, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë një përgjegjësi të madhe këtu. Dhe gabimi kryesor, ka shumë, ka shumë gabime të mëdha për të cilat dua të flas. Së pari është gabimi i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian ndaj Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe refuzimi i SHBA-së dhe BE-së për ta parë presidentin Vuçiq për atë që është. Ky është një autokrat që po e çon Serbinë prapa, po e merr Serbinë nga BE-ja dhe po e shtyn më afër Rusisë, po destabilizon rajonin. Pra, ky është gabimi i parë. Pika ime e dytë është të flas për gabimet e kryeministrit Albin Kurti, i cili i ka dhënë Presidentit Vuçiq dhuratën për të larguar vëmendjen nga ushtrimi i presionit që duhet të bëhet ndaj Beogradit, për organizimin e sulmit të shtatorit në veri të Kosovës, për deformimin e rezultatit të zgjedhjeve për të cilin është mbajtur përgjegjës me një shumicë të madhe votash në Parlamentin Evropian për mashtrime zgjedhore në Serbi. Dhe në vend të kësaj, kryeministri Kurti po i jep Presidentit Vuçiq një dhuratë duke larguar të gjithë vëmendjen nga Beogradi, aty ku duhet të jetë, dhe në vend të kësaj e ka tërhequr vëmendjen te Prishtina për qasjet e gabuara ndaj politikës në Kosovë.
Kohët e fundit ju keni deklaruar se në Këshillin e Sigurimit të kombeve të Bashkuara, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shënoi në portën e vet lidhur me seancën për çështjen e Dinarit serb. Por vendimi nuk është marrë në fakt nga qeveria Kurti, por nga Banka Qendrore e Kosovës, që është një institucion i pavarur nga qeveria. Përkundër kësaj, kryeministri dhe Banka Qendrore u kanë premtuar ndërkombëtarëve një periudhë të gjatë tranzicioni dhe që serbët e Kosovës nuk do të ndëshkohen. Pse u shndërrua kjo në çështje?
Edward P. Joseph: Para së gjithash, nëse është vetëm çështje e Bankë Qendrore, atëherë pse kryeministri Kurti flet vazhdimisht për këtë? Së pari kjo dhe pastaj së dyti, përse po bën komente politikash për këtë? Nëse është kështu, atëherë ai thjesht mund të thotë: ‘Epo, më falni, ju duhet t’i çoni të gjitha pyetjet tuaja në Bankën Qendrore sepse kjo është vetëm çështje e politikës së Bankës Qendrore të Kosovës. Kjo është një çështje se si Kosova i trajton të gjithë qytetarët e saj dhe se si Kosova merr vendime të rëndësishme dhe komplekse të politikave. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për ndonjë rregullore për përdorimin e euros, që mund të jetë për qëllime shumë të mira dhe absolutisht që ne dhe miqtë e tjerë të Kosovës e njohim. Ai përfshin gjithashtu çështje të taksimit, të transfertave tatimore. Këto janë çështje të rëndësishme dhe komplekse. Dhe kryeministri Kurti sërish ka marrë një vendim krejtësisht të pakoordinuar, pa asnjë njoftim. Banka Qendrore mund ta kishte diskutuar lehtësisht vetë këtë me Bashkimin Evropian, me Shtetet e Bashkuara. Por në vend të kësaj ai vazhdon me veprime të pakoordinuara që po dëmtojnë interesin kombëtar të Kosovës. Kjo është ajo që po e përsëris këtu, kjo është ajo që është e rëndësishme. Këto lloj hapash të pakoordinuar dëmtojnë interesin kombëtar të Kosovës. Ata para publikut kosovar paraqiten si një pohim i fuqishëm i sovranitetit të Kosovës dhe madje mund të kenë një bazë për këtë. Por pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, këto janë gabime që forcojnë vetëm në duart e presidentit Vuçiq. Dhe unë theksoj këtu se seanca e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që u mbajt javën e kaluar ishte krejtësisht e panevojshme. Nuk pati nevojë për një seancë të tillë. Dhe kjo erdhi vetëm si një dhuratë për presidentin Vuçiq, i cili mund të luajë mbrojtësin e madh të serbëve të Kosovës dhe dhuratë edhe për Rusinë e Kinën, vende të cilat po minojnë në mënyrë aktive pavarësinë e Kosovës, duke u dhënë atyre një platformë për të folur se sa e keqe është Kosova. Pra ky është një gabim shumë i rëndë i kryeministrit Kurti. Nuk është hera e parë. Dhe ai ka nevojë, dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë duhet ta kuptojnë se nuk mund të luajnë më kështu me interesat kombëtare të Kosovës.”
Duke parë zhvillimet e fundit dhe kritikat e forta të Shteteve të Bashkuara në drejtim të qeverisë Kurti, në Kosovë kanë nisur dyshime lidhur me sjelljen e Amerikës, pasi të lë përshtypjen se mund të të ktheje shpinën shumë shpejt. Pse po ndodh kjo?
Edward P. Joseph: Epo, shikoni, sa i përket qëndrimit të SHBA-ve, ju bëj thirrje shikuesve tuaj që të shohin seancën e Këshillit të Sigurimit të javës së kaluar dhe të shohin se si Rusia dhe Kina patën këtë mundësi të madhe për të kritikuar Kosovën, për të folur se sa e keqe është Kosova dhe më pas dëgjoni se çfarë thanë Shtetet e Bashkuara, që mbrojtjen Kosovën. Shikuesit tuaj mund të dëgjojnë vetë dhe të vendosin vetë nëse janë Shtetet e Bashkuara që gjithmonë e respektojnë dhe dalin në pah si mbrojtësit më të fortë të pavarësisë së Kosovës. SHBA është një mik i fortë, miku më i mirë i Kosovës. Por kryeministri Kurti duhet që edhe për Kosovën, ai të jetë një lider që do të veprojë me përgjegjësi dhe do të punojë me miqtë e Kosovës. Nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara. Edhe Gjermania ka kritikuar atë që po bën Kosova. Ambasadori ka thënë se ky vendim për dinarin tani duhet të bëhet me faza. Kryeministri Kurti tani është në mbrojtje për këtë dhe duhet të japë shpjegime. Dhe presidenti Vuçiq e merr këtë dhuratë. Ai tani duket sikur është një mbrojtës i madh i serbëve të varfër të Kosovës. Pra këto janë gabime shumë të qarta për Kosovën. Këto po dëmtojnë interesin kombëtar të Kosovës në një kohë kur fokusi duhet të jetë tek presidenti Vuçiq si një aleat pro-rus në Ballkan, i cili po destabilizon Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.”
Duke ju rikthyer Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, sa shqetësuese ishin deklaratat e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që kërkoi kthimin e një pjesë të ushtrisë në Kosovë. Tashmë janë shfaqur dhe grafite në mure në veri ku shkruhet: kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë. Këto lloj mesazhesh u shfaqën edhe para sulmit në Banjskë, por a rrezikon Kosova?
Edward P. Joseph: Kjo përmbush plotësisht atë që unë po them. Pse duhet t’ia jepni presidentit Vuçiq këtë mundësi? Pse duhej ta bënit këtë kur gjërat po lëviznin në drejtimin e duhur? Pse duhej të ndodhte kjo kur serbët po marrin pjesë në zgjedhje për komunat në veri dhe në një kohë kur ka presion të madh për zgjedhjet në Serbi nga Parlamenti Evropian. Në vend që të mbajë përgjegjësi për këtë kritika, Vuçiq sjell në vëmendje çështjen e sigurisë, duke lëshuar kritika ndaj Kosovës dhe pretenduar dhe vepruar sikur presidenti Vuçiç është mbrojtësi më i madh i serbëve “të gjorë” të Kosovës. Nuk mund ta them me fjalë se sa gabim i rëndë është ky. Është një autogol në portën e Kosovës. Kjo është të shënosh një autogol në portën tënde kur ke mundësinë të shënosh.”
A mendoni se ka përfshirje të Rusisë në rritjen e tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës, dhe sa real është rreziku që Putin të shtrijë duart dhe në Ballkan për të nxitur një luftë, shqetësim i cili është përsëritur shpesh edhe nga NATO?
Edward P. Joseph: Sfida kryesore e Kosovës është që të njihet plotësisht, të anëtarësohet në NATO, t’i bashkohet organizatave si Interpoli. Kina dhe Rusia janë bashkuar për të ndihmuar Serbinë. Kjo është krijuar për ta mbajtur Kosovën të izoluar. Është shumë e qartë se çfarë po bëjnë Rusia dhe Kina. Pra, ajo që bëri kryeministri ishte një vendim i pakoordinuar për Evropën, krejtësisht i pakoordinuar. I surprizoi të gjithë, befasoi dhe Gjermaninë. Ai u dha mundësinë Serbisë, Rusisë dhe Kinës të bënin një shfaqje të madhe. Kjo është pikërisht gjëja e fundit që duhej të ndodhte. Prandaj them që kryeministri Kurti, ai dhe bashkëpunëtorët e tij të afërt duhet të reflektojnë, duhet të veprojnë në të mirë të interesit kombëtar të Kosovës, jo në një mënyrë populiste, duke u përpjekur të marrin disa pikë politike brenda me votuesit në Kosovë dhe kundër Vuçiq: ‘Shikoni sa të ashpër jemi’. Ka pasur gabime majin e kaluar që kryeministri Kurti i bëri sërish në mënyrë të pakoordinuar. Ky është një shembull tjetër që kryeministri Kurti duhet të mësojë. Shtetet e Bashkuara, BE, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia, këta janë miq të mirë të Kosovës. Punoni me miqtë tuaj. Është shumë e thjeshtë. Kjo nuk është e komplikuar. Kjo nuk është e vështirë. Nuk ka asnjë dilemë. Punoni me miqtë tuaj. Po. Vendimi për Euron duhet të zbatohet në një mënyrë. Parandalimi i pastrimit të parave, parandalimi i krimit të organizuar, po duhet të ndodhë. Punoni me Shtetet e Bashkuara me Bashkimin Evropian. Mos bëni hapa të pakoordinuar, provokues që befasojnë të gjithë dhe krijojnë një dhuratë për Aleksander Vuçiq, për Vladimir Putin dhe për Xi Jinping, të cilët janë të gjithë kundërshtarë dhe armiq të Kosovës
Në fund për ta përmbyllur, Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, po vjen në Shqipëri, në një javë tepër të rëndësishme, që përkon me përvjetorin e pavarësisë së Kosovës. Çfarë mesazhi pritet që të japë ai nga Tirana, për raportet Kosovë-Serbi, por edhe sigurinë në Ballkan?
Edward P. Joseph: Kjo është shumë e rëndësishme. Më vjen mirë që sollët në vëmendje vizitën e Sekretarit të Shtetit Blinken. Fakti që ai shkon në këtë kohë në Tiranë është shumë i rëndësishëm. Dhe më lejoni të kujtoj rëndësinë për Shqipërinë. Ne shohim ndryshimin në Europë midis mënyrës se si sillen demokracitë dhe se si sillen autokracitë. Ne shohim agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Ne shohim Serbinë duke promovuar narrativa pro ruse për luftën. Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama kanë përgjegjësinë e tyre për të çuar përpara demokracinë. Në Shqipëri demokraci do të thotë pjesëmarrje aktive e opozitës. Nuk ka demokraci pa opozitë të fortë, pa konkurrencë reale politike në zgjedhje, edhe në kohën kur nuk ka zgjedhje. Duhet të ketë media të lira dhe kritika të hapura ndaj qeverisë, në mënyrë që qeveria të mbajë përgjegjësi kur gabon. Qeveria duhet të flasë me popullin. Besoj se sekretari Blinken do të sjellë një mesazh se sa e rëndësishme është që Ballkani të jetë i fortë dhe i orientuar drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Dhe besoj se Sekretari Blinken do të bëjë një apel për demokracinë dhe se si duhet të zhvillojmë dhe mbajmë demokraci të forta në të gjithë Ballkanin, duke përfshirë edhe Shqipërinë.