Ish-diplomati Canaj: Haradinaj e Hoxhaj po mbajnë më shumë kontakte me SHBA-në sesa Qeveria “Kurti”
Ish-diplomati Blerim Canaj e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, në lidhje me raportet e saj me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Canaj, që ishte konsull në Gjermani, tha se fakti që opozita takohet më shpesh me zyrtarë të SHBA-së, tregon se Qeveria s’i ka punët mirë.
Ai i përmendi vizitat e kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj dhe Enver Hoxhajt të PDK-së, në SHBA.
“Kur e shoh Haradinajn që shkon në Amerikë e takon njerëz më vjen mirë, më duket se ende po e kemi një shpresë. Edhe një person tjetër që ka komunikim është Hoxhaj i PDK-së. Edhe tash jemi në një pozitë të tillë, që opozita po i mban kontaktet me partnerët kyç. A po i bie që qeveria jonë i ka punët mirë? Absolutisht jo! A i bie që konsekuencat për Kosovën të shtohen, absolutisht po. Bashkësia ndërkombëtare, ShBA janë të lodhura nga veprimet donkishotiane të Kurtit”, tha ai, për RTV Dukagjini.
Canaj gjithashtu ka thënë se nëse Kosova nuk koordinohet me partnerët ndërkombëtarë, mund të ketë pasoja.
Ai tha se pasojat mund të jenë të ndryshme, siç janë ndalimi i vizitave në ShBA dhe mospërkrahja për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Pres konsekuenca nëse nuk tërhiqemi… tani po shohim vetëm disa opozitarë në Amerikë, e kemi pa Kurtin duke u shëtit atje, duke mos u takuar me askënd. Momentalisht kemi të bëjmë me masa kundrejt qeverisë, por jo kundër Kosovës, me shpresën se mund të ndryshojë”, tha ai.