UP-ja e nderon me mirënjohje diplomatin Rucker

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, i ka ndarë mirënjohje përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara për Kosovën në periudhën 2006-2008, Joachim Rucker.

Qerimi e ka përshëndetur Rucker për kontributin e tij në ndërtimin e strukturave institucionale dhe për promovimin e demokracisë në Kosovë, në kohën e para, gjatë dhe pas pavarësisë.

“Ai u shpreh se Rucker e pa Kosovën jo vetëm si një vend me sfida, por edhe me potencial dhe vullnet për të përparuar”, thuhet në njoftimin e UP-së.

Ndërsa, Rucker, gjatë vizitës së tij në UP, ligjëroi për rolin e misionit të OKB-së në prag të pavarësisë së Kosovës përpara studentëve të Departamentit të Historisë.

“Rucker u shqua në mënyrë të veçantë për menaxhimin e situatës dhe për kontributin në rrugën drejt pavarësisë së plotë të Kosovës. Ai ndihmoi në krijimin e një atmosfere të përshtatshme për dialog dhe zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare të Kosovës”, thuhet tutje në njoftim.