Krasniqi: Qeveria Kurti i ka sjellë Kosovës vetëm stagnim në ekonomi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në trevjetorin e fitores së Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se  “kjo periudhë ka qenë e mbushur me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, është përkeqësuar jeta e qytetarëve të Kosovës”.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, është shprehur se Qeveria Kurti i ka sjellë Kosovës vetëm stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione.

Postimi i plotë:

Tri vite i mjaftuan Albin Kurtit në pushtet që premtimet t’i kthejë në mashtrim dhe shpresat në zhgënjim.

Tri vite të mbushura me keqqeverisje, paaftësi dhe afera korruptive, përmes së cilave është përkeqësuar jeta e qytetarëve tanë.

Tri vite përplot me veprime të papërgjegjshme, përmes së cilave është rrezikuar vazhdimisht e ardhmja euro-atlantike e shtetit tonë.

Tri vite kundër secilit aleat të Kosovës, posaçërisht SHBA-së, tashmë edhe si politikë zyrtare qeveritare.

Krejt çka kjo Qeveri i ka sjellë Kosovës për këtë periudhë është: stagnim në ekonomi, kolaps në shëndetësi, degradim në arsim, hajni me energji dhe rezerva shtetërore, dështim në infrastrukturë, skandale në politikë të jashtme, izolim ndërkombëtar dhe sanksione për Kosovën.

Për ta, e rëndësishme është që kulti i liderit të jetojë, qoftë edhe përmes një statuje qesharake prej bronzi - mbi varfërinë e qytetarëve dhe të ardhmen e cenuar të shtetit tonë.

Përbuzja - është e vetmja trashëgimi politike të cilën ky pushtet po e lë mbrapa, tashmë, në kilometrat e fundit të tij!