Ministri Aliu mirëpret vendimin për shpronësim në lokalitetin arkeologjik “Ulpiana”

Liburn Aliu, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, njoftoi se në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar vendimi përfundimtar i shpronësimit për realizimin e projektit të lokalitetit arkeologjik “Ulpiana”, transmeton Zeri.info

“Pas vendimit të parë të datës 12 tetor 2023, kur edhe nisi procesi i shpronësimit të pronave, sot në mbledhjen e Qeverisë miratuam vendimet përfundimtare të shpronësimit për realizimin e projektit të lokalitetit arkeologjik ‘Ulpiana’”, u shpreh Aliu.

Ndërkaq Aliu ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjithë hapat për mbrojtjen dhe promovimin e këtij lokaliteti.

“Marrë parasysh rëndësinë e trashëgimisë arkeologjike, Qeveria jonë i ka ndërmarrë të gjitha hapat e duhur për mbrojtjen dhe promovimin e këtij lokaliteti, njëherësh mbishkrimit i cili paraqet një dëshmi shumë të rrallë të historisë dhe lashtësisë së popullit shqiptar”, shkroi ministri. /Zëri