Murati për deklaratën e O’Brienit: Patjetër që konsultohemi e koordinohemi me partnerët tanë

Çështja e ndalimit të përdorimit të dinarit serb si mjet për pagesë ka ngritur shqetësimin edhe të ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien.

O’Brieni u shpreh se me këtë qëndrim Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha ai.

E lidhur me këtë deklaratë është pyetur sot ministri i Financave, Hekuran Murati, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.

Murati ka thënë se të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri dhe që e mbështesin deri në fund qëllimin e këtij vendimi.

“Duhet theksuar që vendimi është marrë nga BQK-ja në dhjetor të vitit të kaluar dhe ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti. Ne patjetër që konsultohemi, koordinohemi dhe kemi parasysh të gjitha aspektet sa i përket qëllimit që synon të arrij rregullorja e miratuar e BQK-së. Të gjithë partnerët ndërkombëtarë janë njëzëri që e mbështesin deri në fund”, tha Murati.

Ai tha se dallimi i vetëm që është te partnerët ndërkombëtarë është për periudhën tranzitore.

“Nuk ka dilema, as kurrfarë dallimi sa i përket qëllimit që duam të arrijmë, i vetmi dallim është sesi të dallohet periudha tranzitore. BQK-ja është e angazhuar tej mase për të ofruar përgjigje sa i përket shqetësimeve të ngritura dhe propagandës së disa prej elementeve nga Beogradi që të krijojnë mjegull ndaj një çështje teknike dhe krejtësisht ligjore”, u shpreh ministri Murati.

Ministri tutje përmendi se Beogradi është ai që po krijon amulli në këtë çështje.

“Gjatë rrugës për Leposaviq kur isha, shtëpitë që sheh dhe ambientet që sheh nuk të lënë përshtypjen që kanë hyrë 200 milionë euro në vit aty. Është e vërtetë që janë dedikuar nga Beogradi 200 milionë, por jo të gjitha ato para kanë përfunduar tek qytetarët, një pjesë e madhe e tyre ka përfunduar në financim të aktiviteteve ilegale dhe grupeve të interesit për të cilat tashmë është dëshmuar që kanë lidhje direkte me Beogradin”, tha Murati. /telegrafi