Mediat në Serbi njoftojnë se Vuçiqi pritet ta eliminojë nga diplomacia Daçiqin, për ta avancuar Gjuriqin

Marko Gjuriq mund të jetë ministër i punëve të jashtme të qeverisë së ardhshme të Serbisë. Kështu shkruan gazeta “Nova.rs”, duke thënë se fakti që disa anëtarë të kabinetit të Ivica Daçiqit janë angazhuar në disa përgjegjësi të reja, tregon se rruga për postin e kryediplomatit mbetet i hapur për Gjuriqin.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se Gjuriqi do të kthehet në Serbi dhe se “do të kryejë nga funksionet më të rëndësishme” për Serbinë, pas shërbimit si ambasador në SHBA.

Siç raporton Nova.rs, shefi i shtabit të Daçiqit, Nikola Nedeljkoviq, u emërua ambasador në Greqi në fillim të shkurtit.

Nova shkruan se duke pasur parasysh se Vuçiqi i do surprizat dhe njerëzit më besnikë rreth tij, gjë që sigurisht e bën Gjuriqi, ka mundësi që ai të jetë në krye të qeverisë së ardhshme. /express