Miratohet Projektligji për Gjykatën Administrative
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar Projektligjin për Gjykatën Administrative.
Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti tha se me këtë projektligj për herë të parë në Republikën e Kosovës themelohet një gjykatë e specializuar për kontestet administrative dhe të punës.
“Nëpërmjet kësaj nisme, përveç të tjerash, do të adresohen çështjet e juridiksionit dhe kompetencës, transferimi i lëndëve dhe funksionalizimi i Gjykatës”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka thënë se ky projektligj është një zotim i Qeverisë së Kosovës që ka pasur para qytetarëve të Republikës së Kosovës. Sipas saj, ky ligj do të kontribuojë në efikasitetin e procedurave në çështjet administrative.
“Gjykata do të jetë kompetente për të vendosur për të gjitha konfliktet administrative përveç atyre në juridiksion të Gjykatës Supreme, të gjitha kontestet në marrëdhëniet e punës në mes të personit fizik dhe institucionit publik ose në mes të institucioneve publike dhe çfarëdo kontesti tjetër”, tha ajo.
Sipas saj, gjykata do të organizohet në dy shkallë, stafi do të shtohet për 25 gjyqtarë në shkallë të parë dhe nëntë në shkallën e dytë.
Pas miratimit të sotëm në Qeveri projektligji do të dërgohet në Kuvend për miratim.