Kurti: 14 shkurti revolucion elektoral, ngadhënjeu mirëqeverisja
Kryeministri Albin Kurti në fillimin e mbledhjes së Qeverisë e ka quajtur historike datën 14 shkurt 2021, duke thënë se është përvjetori që bëri revolucion elektoral.
“14 shkurti është moment i përmbysjes më të madhe politike, demokratike në Kosovën e pasluftës. Është revolucioni elektoral ku ngadhënjyen mirëqeverisja mbi korrupsionin, drejtësia mbi diskriminimin dhe interesi i përbashkët publik mbi atë personal e privat”.
“Kosova e 14 shkurtit sot pas tre vjetësh është Republikë më e fortë, më e qëndrueshme dhe më e mirë për të jetuar. Në Republikën e Kosovës më 14 shkurt nuk shënohet vetëm dashuria ndaj njerëzve të dashur, por shënohet edhe dita e dashurisë dhe përkushtimit për Republikën tonë”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur pakot si ndihmë për qytetarët, arsimin universitar falas dhe arsimi dual në ciklin e ulët, rritjen ekonomike dhe të investimeve të të huajve, investimet në Forcat e Sigurisë së Kosovës, liberalizimi i vizave si të arritura të Qeverisë.
“Avancuam politikën e jashtme. Liberalizimi i vizave u jetësua sivjet, e realizuam ndonëse nuk e kishim premtuar. Spanja njohu pasaportat tona, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli hoqën vizat për qytetarët tanë”, shtoi ai.
“Kosova është e të gjithëve dhe të gjithë duhet të kontribuojnë për të. Sundimi i ligjit dhe shpërndarja e mirëqenies na bashkojnë pa dallim etnik”, shtoi Kurti.