Bideni letër Vuçiqit: Marrëveshja me Kosovën, hap kyç për stabilitet në rajon dhe Evropë
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka pranuar një letër urimi nga presidenti i SHBA-së, Joe Biden, me rastin e Festës Kombëtare të 15 shkurtit, raportojnë mediat në Serbi.
Në letrën e Bidenit drejtuar Vuçiqit, pos të tjerash, thuhet që SHBA-ja do të mbështetë Serbinë drejt anëtarësimit në BE.
Tutje raportohet se Bideni në letrën e tij ka inkurajuar Serbinë të vazhdojë me progresin e arritur vitin e kaluar në dialogun me Kosovën, i cili ndërmjetësohet nga BE-ja, transmeton Telegrafi.
“SHBA-ja mbështet rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit në BE dhe mbetet e përkushtuar për të ndihmuar Serbinë të forcojë institucionet e saj demokratike drejt përmbushjes së këtij qëllimi”, thuhet në letrën e Bidenit.
Presidenti amerikan ka përmendur edhe çështjen e marrëveshjes me Kosovën.
“Marrëveshja për Normalizim dhe implementimi i saj paraqesin hapa kyçë drejt një të ardhmeje më të qetë dhe të suksesshme për Serbinë, rajonin dhe Evropën”, nënvizohet në urimin e presidentit të SHBA-së. /Telegrafi