Izraeli lëshon paralajmërim për Hamasin për spitalin “Nasser”, jep 12 orë afat
Ushtria izraelite ka thënë se do të ndërmarrë veprime në kompleksin e spitalit “Nasser” nëse Hamasi nuk pushon “aktivitetin ushtarak” në zonë.
Deklarata u lëshua mëngjesin e sotëm duke thënë: “Kemi informacione që dëshmojnë se organizata terroriste Hamas vazhdon të kryejë aktivitete ushtarake brenda kompleksit spitalor “Nasser” dhe për më tepër se vendi përdorej për mbajtjen e pengjeve”.
“Kërkojmë ndërprerjen e menjëhershme të të gjithë aktivitetit ushtarak në zonën e spitalit dhe largimin e menjëhershëm të operativëve ushtarakë prej tij”.
Forcat izraelite shtuan se “rezervojnë të drejtën e tyre për të vepruar” nëse Hamasi nuk ndalet brenda 12 orëve.
Mesazhi iu dërgua Hamasit dje në mbrëmje përmes një zyrtari të lartë në Autoritetin Shëndetësor Palestinez të Gazës.
Civilët që kërkojnë strehim në mjediset e spitalit duhet të shkojnë në “hapësira më të sigurta” në Alamozi dhe strehimore në Deir al Balah, shtuan ata.