Kurti në takim lamtumirës me ambasadorin Abbott
Kryeministri Kurti ka pritur të martën në takim lamtumirës ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott.
Ky takim u zhvillua pas pritjes së organizuar nga Zyra e Kryeministrit për ambasadorin më 1 shkurt.
Në këtë takim Kurti e falënderoi ambasadorin Abbott për punën, dedikimin e tij dhe bashkëpunimin gjatë gjithë mandatit.
“Gjatë bisedës ata reflektuan mbi arritjet e Qeverisë, sfidat e mundësitë që paraqiten në rrugën tutje drejt zhvillimit dhe progresit.
Gjithashtu u përmend dhe rëndësia që shënon ky vit në 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, ku mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar dhe ajo e shumë individëve luajti rol kyç në ndaljen e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, thuhet në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Po ashtu thuhet se ambasadori Abbott ka kontribuuar në mënyrë të çmueshme në ruajtjen dhe thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, e si vend aleat dhe partner ajo do të vazhdojë edhe me ambasadorin e ardhshëm.
Kurti gjithashtu e uroi ambasadorin Abbott për detyrën e tij të radhës dhe i dëshiroi suksese të mëtejme. /Zëri