Blinkeni nesër në Tiranë, zbardhet agjenda

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Matthew Miller, ka zbardhur detaje mbi agjendën e sekretarit Antony Blinken, i cili pritet të mbërrijë nesër për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Në një konferencë për shtyp, Milleri njofton se vizita e Blinkenit në Shqipëri riafirmon fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë. Sipas Millerit, Shqipëria është një partner kyç i SHBA-së për stabilitetin dhe përparimin në Ballkanin Perëndimor.

Zëdhënësi i DASH-it e konsideroi Shqipërinë një zë i fortë në mbrojtjen sovranitetit dhe lirisë së Ukrainës kundër agresionit brutal të Rusisë, si dhe një udhëheqëse parimore gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së ose edhe si kryetare e OSBE-së për vitin 2020. “Mirëdita të gjithëve. Më falni që u vonova pak, ose në fakt shumë vonë. Do të filloj me disa komente hapëse për udhëtimet.

Sekretari Blinken do të niset nesër për të udhëtuar drejt Tiranës së Shqipërisë dhe Mynihut të Gjermanisë. Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretarit në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit atje, ai do të riafirmojë fuqinë e marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë.
Më herët, zëvendës ndihmës sekretarja e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Yuri Kimi zbardhi agjendën e sekretarit të Shtetit Antony Blinken gjatë vizitës në Evropë.
Kimi theksoi se udhëtimi do të jetë me dy ndalesa, në Shqipëri dhe Gjermani. Vizita në Tiranë do të përqendrohet tek “ e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe ajo e Evropës”.

“Ne do të nisemi nesër për një udhëtim me dy ndalesa në Evropë. Ndalesa e parë do të jetë në thelb një ndalesë ditore në Shqipëri që do të zgjasë nga ora 11:00 deri rreth orës 7:00 ose 8:00 të mbrëmjes. Dhe kjo është me të vërtetë një ndalesë që do të fokusohet tek e ardhmja, e ardhmja e Shqipërisë, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor, ku mund të kujtoni se Ndihmës Sekretari Jim O’Brien kohët e fundit ishte atje për të folur për Bosnjë e Hercegovinën, por në çdo rast, e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e Evropës”, u shpreh Kimi.

Sipas Kimit, “vizita vjen në momentin që ne po fillojmë 100 vitet e dyta të marrëdhënieve SHBA-Shqipëri. Vjen në një kohë kur ne duam të shkojmë dhe të falënderojmë kryeministrin Rama dhe Shqipërinë që ishin bashkëmbajtësit tanë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga 2022 deri në vitin 2023”. /TCh