Qytetarët me mendime të ndryshme për punën trevjeçare të Kurtit, ia përmendin pensionet e ulëta dhe Asociacionin
Disa qytetarë janë shprehur të pakënaqur me punën trevjeçare të qeverisë “Kurti”. Disa i përmendin marrëveshjen për Asociacionin e disa pensionet e ulëta. Ka edhe të atillë që konsiderojnë se është shtrirë sovraniteti në veri të vendit.
Një qytetar i intervistuar nga EO-ja, si sukses të kësaj qeverie përmend aksionet e ndërmarra nga institucionet kosovare në veri të vendit. Thotë se me ardhjen e Kurtit, Millan Radoiçiq dhe kriminelë tjerë janë larguar nga veriu dhe u është konfiskuar pasuria e tyre.
“Me Albinin po e shoh që ka rezultate. Mitrovicën e veriut, populli shqiptar që kanë qenë atje 20 fshatra, ata kurrë gjumin rahat nuk e kanë bo e me ardhjen e Albin Kurtit ata janë të kënaqur. Serbëve ua ka ndal referendumin, ua ka ndal zgjedhjet, ajo ka qenë e papranueshme. Albin Kurti ta shkatërrojë kriminelin numër një Radoiçiqin që ai për pjesën veriore ka qenë lider që pa urdhrin e tij s’kanë guxu asgjë me bo. Atë ta shporri, ta largojë nga Kosova, kriminelët tjerë t’i vrau, t’i burgosi. Pasurinë e Radoiçiqit ta konfiskojë, vilat, ndërtesat, hotelet. Albin Kurti u ndihmojë pensionisteve në ato mundësitë”, deklaroi ai.
Por i pakënaqur u shpreh një tjetër.
“Asnjë deri më tani, asnjë Qeveri nuk janë tu bo diçka që me u krenu na për asnjë Qeveri. Kam shumë kërkesa si qytetar, por nuk ia vlen as me i diskutu”, u shpreh shkurt ai.
E një qytetar tjetër thotë se kryeministri Kurti ka pranuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Me dialog me Serbinë edhe aty e ka pru marrëveshjen më të keqe të mundshme, Asociacionin, autonomi kulturore, autonomi territoriale për Serbinë sikur na që e kemi pas në 74-tën. Ka për pensionistë, ka për sindikata, ka për punëtorë”, deklaroi ai.
Ndërsa një tjetër pakënaqësinë e tij e shpreh për shkak të pensioneve të ulëta.
“Jo valla nuk i ka përmbush aspak. Së pari neve pensionistëve që dhjetë vjet nuk na i kanë rrit pensionet hiç, çka me bo me një pensionin, as barna s’po na dalin me i ble”, deklaroi ai.