Hoti: Deklarimet e O’Brienit duhet të merren me shumë shqetësim
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka komentuar paralajmërimet e ashpra të ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit, James O’Brien, ndaj Kosovës.
Sipas Hoti, deklarimet e ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim.
“Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale”, ka shkruar Ish-kryeministri në Facebook.
“Deklarimet e Ndihmës-sekretarit Amerikan të Shtetit duhet të merren me shumë shqetësim. Marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në janë ekzistenciale. Kush nuk e kupton këtë nuk e meriton të jetë në krye të institucioneve. Bartësit e institucioneve të vendit e kanë për obligim të mirëmbajnë këto marrëdhënie të pacenueshme. Keq. Në prag të përvjetorit të pavarësisë, do të duhej të merrnim mesazhe urimi”, ka shkruar Hot në ‘Facebook’.
Ndryshe ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien thotë se Shtetet e Bashkuara janë shumë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar përdorimin e dinarit.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien thotë se me këtë qëndrim, qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara. “Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, tha ai.