Vrasja e 18-vjeçarit në Podujevë, mbrohen në heshtje dy të dyshuarit
Gati një muaj pas vrasjes së Lulzim Fejzullahut nga Podujeva, dy të dyshuarit janë paraqitur para Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
Të njëjtit këtë të martë janë sjell në Pallatin e Drejtësisë, nën masa të sigurisë derisa intervistimi i tyre zgjati pak minuta.
Kjo pasi që të dy u mbrojtën në heshtje, duke mos dashur të përgjigjen në pyetjet e prokurorit. Prezent në intervistimin e të dyshuarve të mitur ishte edhe avokati mbrojtës i familjes së viktimës.
“Ky mund të themi që po ashtu ka mbetur pranë deklaratës që ka dhënë në polici dhe nuk ka dashur të përgjigjet në asnjë pyetje as në pyetjet e prokurorit e as në pyetjet e mija si përfaqësues i të dëmtuarës së familjes, Lulzim Fejzullahut. Duket kështu që deklarimet të njëjta që të mbeten pranë deklaratës së policisë ka qenë edhe më heret kur është marr në pyetje në orën 10:30”, tha Tomë Gashi, avokat i Familjes së viktimës.
Gashi tutje ka thënë se i dyshuari kryesore për këtë rast E.K është recidivist dhe dyshohet se është i përfshirë në një numër rastesh.
“Ka së paku 9 apo 10 vepra penale duke filluar prej rasteve të tentimit të vrasjes apo vrasjes në tentativë, lëndimeve të renda trupore dhe vepra të tjera të ngjashme për të cilat i ka edhe dy vepra penale aktive, dmth e për të cilat ai është deklaruar se kinse nuk e din. Mendoj se prokurori i çështjes tani më veç është duke i grumbulluar provat përfundimtare dhe së shpejti kjo procedurë përgatitore do të përfundojë”, tha Gashi.
Ndërsa avokati i E.K, Skender Musa ka thënë se gjendja emocionale e klientit të tij ka qenë e renduar dhe se si shkak i kësaj nuk ka mundur të deklarohet. Ai tha se i mituri vetëm ka shprehur keqardhje për rastin.
“Për shkak të gjendjes së rëndë emocionale që e pat i mituri edhe për faktin se ishte duke përdorur medikamente mjekësore vetëm ka shprehur keqardhje, ngushëllime për familjen edhe keqardhje për krejt shoqërinë që ka ndodhur rasti, këtë fazë nuk pat mundësi me u deklarua por qëndroj në tërësi pranë deklarimeve që ka dhënë në polici, nuk i mohon veprimet e shpreh keqardhjen më të thellë që ka ndodhur rasti”, tha Skënder Musa, avokati i të dyshuarit E.K
E avokati i të dyshuarit tjetër Florent Latifaj nuk ka dashur të flasë për mediat pas intervistimit të A.A duke thënë se të gjitha i kanë thënë në institucionet e drejtësisë.
18-vjeçari Lulzim Fejzullahu vdiq më 20 janar si pasojë e goditjeve që mori nga dy të miturit, të cilët fillimisht e kanë goditur me makinë e më pas edhe me shkop bejsbolli. /Dukagjini