Osmani dhe ambasadori Mizuuchi diskutojnë bashkëpunimin Kosovë-Japoni
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin jorezident të Japonisë në Kosovë, Ryuta Mizuuchi, me të cilin konfirmuan raportet e shkëlqyera midis dy shteteve, të cilat këtë vit shënojnë 15 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike.
Në takim me ambasadorin Mizuuchi, Presidentja Osmani tha se Japonia mbetet një partnere e Kosovës dhe mbështetëse e vazhdueshme, teksa falënderoi ambasadorin Mizuuchi për projektet e shumta, të cilat Japonia po i realizon në Kosovë përmes Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA).
Presidentja Osmani potencoi përkushtimin e Kosovës në rrugëtimin euroatlantik, duke theksuar domosdoshmërinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, por edhe të afirmimit ndërkombëtarë të saj.
Me ambasadorin Mizuuchi, Presidentja Osmani diskutoi edhe për një sërë çështjesh në fushën e bashkëpunimit bilateral, edicionin e sivjetëm të Forumit ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe çështje tjera me rëndësi të interesit të përbashkët.
Të dy bashkëbiseduesit shtruan nevojën e thellimit të raporteve bilaterale dhe intensifikimit të bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, edukimit, dhe shëndetësisë.