Ministria e Mbrojtjes: “Javelin”-ët garantojnë mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës

Një muaj pasi Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (11 janar, 2024) mori vendimin për miratimin e mundësisë për blerjen e sistemit anti-tank “Javelin” sipas kërkesës së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes është në pritje të ofertës nga ana e SHBA-së.

Kështu së paku ka thënë Liridona Gashi, këshilltare politike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Gashi tha se pastaj, bazuar në të dhe planin e zhvillimit të FSK-së, do të të realizohet blerja.

Sipas saj, në koston e përgjithshme prej 75 milionë euro të ndara për “Javelin”-ët do të bëhet edhe trajnimi i ushtarëve për përdorimin e këtij sistemi.

“Afatet për pranimin e tyre caktohen pas përmbylljes së procedurës së blerjes, me rastin e nënshkrimit të kontratës”, tha Gashi në një përgjigje për Klankosova.tv.

Tutje, këshilltarja e MM-së theksoi se blerja e këtij sistemi do të ngritë kapacitetin mbrojtës të FSK-së.

“Për të garantuar mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit të territorit të Republikës së Kosovës bazuar në misionin kushtetues të saj”, theksoi Gashi, kur u pyet se për çfarë do të shërbejë ky sistem.

Këshilltarja politike në MM, shtoi se për tre vite janë investuar 239 milionë euro për FSK-në, e këtë vit planifikohet të realizohen edhe disa blerje tjera milionëshe.

“Konfirmojmë se vlerës prej 239 milionë euro, aq sa është investuar në sisteme të armatimeve gjatë tre viteve të fundit, këtë vit do t’i shtohen dhe disa milionë të tjerë pasi planifikojmë të realizojmë dhe blerje të tjera bazuar në planin e zhvillimit të FSK-së dhe planifikimin buxhetor, e që buxheti për vitin 2024 prej 153 milionë euro për Ministrinë e Mbrojtjes, mundëson realizimin e tyre”, tha ndër të tjera Liridona Gashi, këshilltare politike në Ministrinë e Mbrojtjes.

Lajmin për pranimin e kërkesës së Kosovës nga ShBA-ja për të blerë sistemin anti-raketor “Javelin” e dha ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, më 11 janar, pas një takimi që pati zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.