Zyrtari i QRA-së në Malishevë shpallet fajtor për korrupsion

Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Besart Gashi, i cili akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i detyrës ose autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, kryetari i trupit gjykues, Ilir Rashkaj, njoftoi se për këtë rast do të mbahet një seancë dëgjimore për caktimin e dënimit, pas kërkesës së mbrojtëses së të akuzuarit Besart Gashi, avokate Albana Kelmendi.

I njëjti ka bërë të ditur për “Betimi për Drejtësi” se po ashtu gjykata do të vlerësojë se a do të përmbushen - plotësohen kushtet që po atë ditë të bëhet shpallja e sanksionit dhe lartësia e dënimit për të akuzuarin, i cili sot u shpall fajtor.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se Besart Gashi, në cilësi të personit zyrtar në Qendrën për Regjistrimin e Automjeteve në Komunën e Malishevës, ka bërë shkelje ligjore në 623 raste të regjistrimeve të automjeteve, duke i shkaktuar dëm në vlerë prej 5 mijë e 700 eurove Komunës së Malishevës.

Aktakuzën e plotë mund ta lexoni duke klikuar KËTU. /BetimipërDrejtësi