Senati amerikan miraton paketën e ndihmës për Ukrainën
Senati amerikan ka miratuar paketën e ndihmës në vlerë prej 95.34 miliardë dollarësh, ku përfshihet edhe ndihma ushtarake dhe ekonomike për Ukrainën në vlerë prej 61 miliardë dollarësh.
Megjithatë, fati i këtij legjislacioni mbetet i paqartë, pasi republikanët që kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve kanë sinjalizuar se nuk do të mbështesin këto masa.
Senatorët amerikanë votuan me 70 vota për dhe 29 ishin kundër këtij projektligji, duke tejkaluar 60 votat e nevojshme për miratim. Kjo u arrit pasi 22 senatorë republikanë iu bashkuan atyre demokratë për të mbështetur këtë paketë të ndihmës.
Në paketën e miratuar përfshihen edhe 14 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin dhe ndihmë për shtetet e tjera.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, falënderoi Senatin amerikan për miratimin e këtij legjislacioni.
“Për ne në Ukrainë, vazhdimi i ndihmës së SHBA-së na ndihmon të shpëtojmë jetë nga terrori rus. Kjo nënkupton se jeta do të vazhdojë në qytetet tona dhe do të triumfojë ndaj luftës”, shkroi ai në X, që më herët njihej si Twitter.
“Ndihma amerikane sjell më afër paqen në Ukrainë dhe rivendos stabilitetin botëror, duke rezultuar në rritje të sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë”.
Ndihma financiare dhe ushtarake amerikane ka qenë thelbësore për Ukrainën, shtet që po lufton kundër pushtimit që Rusia nisi pothuajse dy vjet më parë. /REL