Vdekja e të burgosurit në Dubravë, KMDLNJ-ja: S’ka kapacitete për t’u trajtuar rastet e rënda
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar për rastin e vdekjes së të burgosurit H.M. në Burgun e Dubravës.
Sipas reagimit të KMDLNJ-së, edhe më herët kanë reaguar se NJSHB-ja, përkatësisht stacionari në Dubravë, nuk ka as kapacitete materiale e as profesionale për të trajtuar rastet e rënda, përkundër përpjekjeve maksimale që bën stafi shëndetësor.
“KMDLNJ-ja e rithekson domosdoshmërinë e formimit të një spitali që do të pajisej profesionalisht dhe materialisht e që do të përkujdesej për shëndetin e personave të privuar nga liria, siç e kanë vendet e rajonit.
KMDLNJ-ja e rikujton edhe një herë opinionin se në institucionet e mbajtjes në Kosovë një numër i konsiderueshëm i të burgosurve mbahen në kundërshtim të plotë me të drejtat e njeriut shkaku se vuajnë nga sëmundje të pashërueshme apo kanë çrregullime të rënda të shëndetit mendor prandaj kërkojnë mbikëqyrje 24-orëshe ose të pjesshme”.
“Që nga çasti i privimit nga liria, shteti e merr tërë përgjegjësinë për përkujdesjen dhe trajtimin e të burgosurve dhe me asgjë nuk mund të arsyetohet për humbjen e jetëve të personave të privuar nga liria për shkak të mungesës së trajtimit të duhur shëndetësor. Në këto raste hallka e fundit e zinxhirit të përgjegjësisë është Njësia Shëndetësore e Burgjeve që është në gërshërë midis ministrive përkatëse dhe gjykatave e që janë adresat kryesore të përgjegjësisë. KMDLNJ-ja i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes së të ndjerit H.M., duke kërkuar hetime profesionale pas së cilave do të përcaktohej përgjegjësia e mundshme, disiplinore ose penale”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së. /Zëri