Avokati serb: Në Serbi dënohen veç kritikët e regjimit, ndërsa Radoiçiqi që kreu sulm s’fjeti asnjë natë në paraburgim
Avokati Ivan Niniq tha sot se qeveria aktuale progresive më së shpeshti e keqpërdor paraburgimin si instrument për mbjelljen e frikës, frikësimit dhe hakmarrjes.
Për edicionin e sotëm të gazetës Nova, Niniqi ka thënë se fakti që të dyshuarit për krime të afërta me qeverinë lirohen nga paraburgimi dërgon mesazh se “ligjet në Serbi zbatohen vetëm për të varfrit apo kritikët e regjimit në rrjetet sociale”.
Kjo, sipas tij, dëshmohet me faktin se Vuk Stankoviq, i dyshuar për ndërmjetësim në prostitucion, ortak në atë “biznes” me vëllezërit Paniq, djem të kumbarit të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, u lirua pas 48 orësh nga paraburgimi për t’u mbrojtur.
“Kjo dërgon një mesazh se ligjet nuk vlejnë për ‘vëllezërit dhe kumbarët nga maja e shtetit’”.
“Vetë Vuçiqi së fundmi me krenari tha se ka 75 kumbarë, gjë që në vetvete, kur marrim parasysh shembujt e Nikolla Petroviqit dhe Petar Paniqit, në vend të traditës serbe, në fakt ilustron shkallën e rrënimit dhe anarkisë sonë kolektive”, tha Niniqi.
Ai kujtoi shembullin e konfrontimit të armatosur në Banjskë të Kosovës, në të cilin vdiqën katër terroristë serbë, ndërsa i dyshuari Millan Radoiçiq, i cili pranoi publikisht se kishte organizuar një grup të armatosur njerëzish që morën pjesë në incident, “nuk ka fjetur asnjë natë në kujdestari”.
“Kjo vërteton më së miri se si gjyqësori i trajton njerëzit që janë të afërt me regjimin. Publiku ishte në gjendje të shihte se çfarë trajtimi kanë studentët para gjykatës dhe ligjit dhe çfarë trajtimi kanë ekipi i Radoiçiqit dhe Petar Paniqit”, tha avokati
Ai shtoi se “përparimtarët kanë formuar një kastë, shtylla kurrizore e së cilës janë vëllezërit dhe kumbarët, për të cilët nuk zbatohen ligjet e këtij vendi”.