City e Real Madridi synojnë hapin e parë drejt çerekfinales së Championsit
Kampioni në fuqi dhe ekipi më i suksesshëm në histori, paraqiten të martën mbrëma në ndeshjet e para të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve. Kampioni aktual, Manchester City, luan në Danimarkë ndaj Copenhagenit. Ndeshja zhvillohet prej orës 21:00.
Në termin të njëjtë është edhe ndeshja RB Leipzig – Real Madrid, që zhvillohet në Leipzig të Gjermanisë. Real Madridi është skuadra dukshëm më e suksesshme në Champions me plot 14 tituj të fituar.
Si Manchester City ashtu edhe Real Madridi vlerësohen favoritë për të kaluar në çerekfinale. Por nuk i pret punë e lehtë.
Copenhageni përfundoi i dyti në Grupin A, prapa Bayernit. Në këtë grup ishin edhe Galatasaray dhe Manchester Unitedi, që u eliminua. Në xhiron e fundit të fazës grupore, më 12 dhjetor, kampioni danez fitoi ndaj Galatasarayt dhe avancoi tutje. Danezët barazuan pa gola me Bayernin në “Allianz Arena”, ndërsa fituan 4:3 ndaj Manchester Unitedit. Pra nuk humbi në tri ndeshjet e fundit në fazën grupore të Championsit.
Kampionati në Danimarkë nuk ka nisur ende dhe kjo mund të jetë përparësi e Cityt.
“E dimë që Manchester City është ekip shumë, shumë i mirë. Por njëjtë si Bayerni, Manchester Unitedi e Galatasaray, lojtarët e kësaj skuadre janë vetëm njerëz. Kështu që luajmë duke e ditur se kemi shanse për të fituar, për të mos përmendur që stadiumi ynë do të jetë i zjarrtë”, ka thënë trajneri i Copenhagenit, Jacob Neestrup.
City e Copenhageni edicionin e kaluar ishin në grup. Në Angli, Manchester City fitoi 5:0. Për më 11 tetor të vitit 2022 në “Parken Stadium”, Copenhageni kishte ndalë në barazim pa gola gjigantin anglez.
“E mbaj mend ndeshjen në ‘Parken’. Ishte atmosferë e bukur. Ndonjëherë mund të jetë bonus për ekipin vendas. Vendasit kanë dëshirë të luajnë këtu dhe kanë tifozët prapa. Por gjëja e vetme që mund të bëjmë është të fokusohemi dhe të shijojmë lojën e atmosferën”, ka thënë Nathan Ake, mbrojtës i Manchester Cityt.
City fitoi të gjitha gjashtë ndeshjet në grup. Ndërkohë, ka fituar dhjetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat. Në Premier League është në pozitën e dytë me 52 pikë, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Liverpooli i ka 54 pikë në pozitën e parë.
Bilanc maksimal në fazën grupore kishte edhe Real Madridi, që synon tjetër trofe në garën elitare evropiane.
Në fundjavë madrilenët fituan 4:0 ndaj Gironas dhe tani janë liderë në La Liga me 61 pikë, pesë më shumë se Girona.
“Motivimi është gjithnjë i lartë sepse për Real Madridin, Championsi është gara më e rëndësishme për shkak të historisë që kemi në këtë garë. Ne do të luftojmë dhe do të garojmë për këtë titull duke filluar nga e marta”, ka thënë trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti.
“Po luajmë mirë dhe jemi të motivuar dhe të lumtur që po kthehemi në Champions, garë që e duam shumë. Përballemi me një rival me shumë kualitet dhe që luan me shumë intensitet. Duhet të jemi të gatshëm të shfaqim më të mirën, në mbrojtje e në sulm”, ka shtuar tekniku italian.
Madridi pritet të jetë pa yllin Jude Bellingham, që u lëndua të shtunën në ndeshjen ndaj Gironas.
RB Leipzigu ishte në grup me Cityn, prej të cilit u mposht dy herë. Por fitoi katër ndeshjet e tjera, me Young Boysin dhe Cërvena Zvezdën. Natyrisht, Real Madridi është nivel krejt tjetër.
RB Leipzigu është i pesti në Bundesligë me 37 pikë. Tashmë është jashtë garës për titull. Në fundjavë barazoi pa gola me Augsburgun, ndërsa në fillim të shkurtit fitoi 2:0 ndaj Union Berlinit.
“Qartë se nuk jemi të frikësuar. Për këtë kemi punuar shumë edicionin e kaluar dhe në fazën grupore në edicionin aktual”, ka thënë trajneri i Leipzigut, Marco Rose.
Sipas tij, Real Madridi është rritur shumë gjatë edicionit dhe tashmë është prej skuadrave më të forta në Evropë.
“Madrilenët e dinë si është të luhet në Champions dhe si të fitohet po ashtu. I dimë kualitetet e tyre, por as ne nuk jemi ekip i dobët. Kemi futbollistë shumë të mirë, do të japim çdo gjë nga vetja dhe do të mundohemi të shfrytëzojmë rastet që do t’i kemi”, ka shtuar Rose.
Lazio – Bayern, PSG – Real Sociedad, Inter – Atletico Madrid, PSV – Borussia Dortmund, Porto – Arsenal, Napoli – Barcelona janë çiftet e tjera të një të tetës së finales.