ATK-ja mbledh mbi 111 milionë euro tatime në janar, 4 për qind më shumë se plani i paraparë
Si rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme për të mbledhur tatimet në përputhje me ligjin, Administrata Tatimore e Kosovës ka njoftuar se në muajin e parë të vitit 2024, ka arriturtë mbledhë një shumë të konsiderueshme të të hyrave tatimore.
“Shuma prej 111.22 milionë euro e të hyrave të mbledhura ka tejkaluar pritshmëritë e ATK-së, duke arritur të mblidhen 14.5 milionë euro më tepër se periudha e njëjtë e vitit të kaluar, si dhe 4.26 milionë euro apo 4 % më tepër se plani. Këto rezultate janë tregues i përpjekjeve të vazhdueshme për të forcuar zbatimin e ligjit dhe për të siguruar integritetin, besueshmërinë dhe profesionalizmin në mbledhjen e tatimeve”, thuhet në njoftim.
ATK-ja shton se ky sukses reflekton punën e palodhshme të punonjësve të ATK-së si dhe bashkëpunimin e mirë me institucionet e rendit dhe ligjit por edhe me tatimpaguesit.
“ATK-ja është e përkushtuar në sigurimin e një mjedisi të drejtë dhe transparent për të gjithë tatimpaguesit. Administrata Tatimore e Kosovës falënderon të gjithë tatimpaguesit për bashkëpunimin e tyre, si dhe i inkurajon ata që të vazhdojnë dhe të deklarojnë e të paguajnë tatimet e tyre në përputhje me ligjin për të kontribuar në zhvillimin e vendit tonë”, thuhet në njoftim.