Në rajonin e Ferizajt rriten rastet e dhunës në familje

Vetëm gjatë janarit, në Ferizaj janë raportuar 25 raste të dhunës në familje. Megjithatë, jo të gjitha rastet janë dhunë mes bashkëshortëve. Për raste të tilla, zgjidhje e pashmangshme janë strehimoret.

Në Qendrën “Shtëpia ime” mund të trajtohen rreth 18 viktima të dhunës në familje në rajonin e Ferizajt. Deri në zgjidhjen përfundimtare të rasteve qendra ofron shërbimet e nevojshme.

“Strehimin, akomodimin shërbime sociale për fëmijë dhe gra, shërbime psikologjike, shërbime riintegruese kurse të ndryshme aho tek ne qëndron në zgjidhjen e saj përfundimtare sa më të mirë”, ka thënë Sevdije Kosumi Bunjaku, drejtore  e Qendrës “Shtëpia ime”.

Së fundmi, në rajonin e Ferizaj raportohet për rritje të rasteve të dhunës në familje.

“Gjatë muajit janar të viti 2024 janë raportuar 25 raste për dallim nga muaji janar i viti 2023 që kanë qenë 21 apo një rritje prej plus 19 % të rasteve të dhunës në familje nëse i ndajmë me komuna prin komuna e Ferizajt ngaqë është komuna më e madhe”, ka theksuar Kanul Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt.

Sipas drejtuesve të Qendrës së Punësimit Social, jo të gjitha raste e dhunës ndodhin  ndërmjet bashkëshortëve.

“Në QPS referohen raste edhe kur vëllai vëllanë e keqtrajton apo dhunë vëllai motrën , prindër fëmijën, apo prindi fëmijën e rritur”, tha Adelina Rexhepi Braha, drejtoresh e Qendrës për Punë Sociale.

Ndërkaq, sipas sociologes Hatixhe Qazimi Misini, rastet e dhunës nëpër familje po ndikojnë edhe tek nxënësit nëpër shkolla të cilit vijnë me sjellje agresive, kur shohin veprime të dhunshme në shtëpi

“Ne si shkollë gjatë muajit shkurt e kemi në plan veprimi një ligjëratë e cila po zhvillohet nëpër klasë duke i sensibilizuar dhe duke ju dhënë informacion sa më të thellë nxënësve se si parandalohet dhe si se të mos përfshihen ata në rastet e dhunshme”, tha ajo

Ndërkohë vazhdojnë apelet që çdo rast i dhunës në familje të raportohet.