Durrës: 1 mijë e 879 çifte kanë kërkuar divorc në tre vitet e fundit

1 mijë e 879 çifte kanë kërkuar divorc në Gjykatën e Durrësit, në tre vitet e fundit.

Kjo tregon një trend rritës vit pas viti, pasi që vetëm në vitin 2023, në gjykatë janë regjistruar 717 çështje me objekt “Zgjidhje martese”, raporton Euronews.al.

“Kryesisht në vitet ‘90 kemi pasur 9 divorce për çdo 100 martesa, ndërsa vitet e fundit statistikat e zgjidhjeve të martesave janë shumë të larta, shkojnë 24-26% për çdo 100 martesa. Pra, praktikisht me këto shifra jemi në 1 zgjidhje martese për çdo katër martesa të realizuara”, tha Mirjam Reçi.

Sipas gjykatës, divorci iniciohet nga gratë, ndërsa mbizotërojnë çiftet e reja, me pak vite martesë. Sipas ekspertëve janë disa arsye pse ndodh kjo.

“Në familjet shqiptare kryesisht emigrojnë bashkëshortët, ose kryefamiljarët dhe kjo distancë, qoftë edhe fizike, e bën familjen të paqëndrueshme. Arsye të tjera mund të jenë të lidhura me pavarësinë ekonomike të gruas”, theksoi Mirjam Reçi.

Ai tutje tha se një grua që ndihet e pavarur ekonomikisht, mund të arsyetojë që kur një martesë e ka humbur funksionin e saj mund të divorcohen më lehtë.

Më të prekurit nga këto vendime janë fëmijët, e cila rrit rrezikun për prishjen e konceptit të familjes në një të ardhme e cila mund të mos jetë e largët.

“Është një traumë, që zgjat në kohë për t’u bërë një post-traumë, nëse nuk trajtohet siç duhet nga familja dhe komuniteti”-tha Afërdita Mehmeti, eksperte për çështjet e divorcit pranë Gjykatës Durrës.

Sipas ekspertëve, dhuna dhe trauma që fëmijët kalojnë në familje, i dëmton ata nga ana psikologjike.

Ekspertët thonë se ky është një efekt që zgjat në kohë dhe transmetohet edhe në brezat më vonë, duke prodhuar modelin që kanë marrë.