Prerjet cezariane në trend: Kam frikë nga dhimbjet e lindjes

Gati gjysma e 7.700 lindjeve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në vitin 2023, janë realizuar me procedurën e ashtuquajtur “prerje cezariane”.

Megjithatë, jo të gjitha gratë kanë pasur nevoja mjekësore për t’iu nënshtruar një operacioni të tillë, thonë udhëheqësit e Klinikës së Gjinekologjisë.

Sipas tyre, në shumë raste, nënat e kanë kërkuar vetë atë, ose, në disa të tjera, mjekëve u është dukur më e lehtë.

Trendi i lindjeve të tilla është në rritje në Kosovë dhe mjekët ankohen që nuk kanë një protokoll që duhet ndjekur.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, prerja cezariane - nëse kryhet kur nuk ka nevoja mjekësore - mund t’i vendosë gratë dhe foshnjat në rreziqe të panevojshme.

Sikurse me të gjitha operacionet, rreziqet përfshijnë: potencialin për gjakderdhje, infeksion, rikuperim të ngadalshëm e të tjera.

Radio Evropa e Lirë vizitoi këtë javë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku një grua në javën e 37-të të shtatzënisë priste të lindte fëmijën me prerje cezariane.

Ajo tha se kishte frikë nga dhimbjet.

“Nuk e kam diskutuar fare me mjekun mënyrën e lindjes normale, [e kam kërkuar vetë me prerje cezariane]. Nuk është se nuk kisha dashur të lind në mënyrë natyrale, por nuk i besoj vetes se mund ta realizoj deri në fund”, tha shtatzëna, e cila pranoi të identifikohej vetëm me inicialet L.A.

Ajo do të bëhej nënë për herë të katërt. Edhe lindjet e tjera i kishte realizuar me prerje cezariane.

Drejtori i Gjinekologjisë, Zef Ndrejaj, thotë se janë disa faktorë që këtë procedurë e kanë bërë gati të zakonshme.

Si kryesor, ai përmend “presionin e pacienteve” për ta kryer lindjen “sa më shpejt”. Pastaj thotë se është edhe mosgatishmëria e mjekëve për të asistuar një proces natyral, sepse bien “pre e këtij presioni”.

Sipas tij, mjekët shpesh druajnë se mund të përballen me probleme, nëse këmbëngulin në lindje natyrale dhe ajo komplikohet në momentin e fundit.

Për këto arsye, Ndrejaj thotë se duhet një protokoll, i cili i udhëzon mjekët se si të veprojnë.

“Në mungesë të këtij protokolli, ne biem nën ndikimin e presioneve, sepse nuk të mbron askush, përveç protokollit. Pacientja dhe familjari kërkojnë përgjegjësi nga mjeku, prandaj na duhet protokolli për t’u bazuar në të”, thotë Ndrejaj për Radion Evropa e Lirë.

Ai tregon se numri i lindjeve me prerje cezariane po shkon duke u rritur nga viti në vit, por nuk ofron shifra.

Thotë se ato po shndërrohen në një “trend”, i cili mund të çojë edhe në rënie të natalitetit.

“...sepse lind një herë me prerje cezariane, dy herë... por rreziku është shumë i madh nëse shkohet me herë të tjera”, shpjegon Ndrejaj.

Dukuria nuk është e kufizuar vetëm në QKUK dhe spitale të tjera publike.

Në Kosovë operojnë disa institucione private shëndetësore, ku prerjet cezariane mund të kryhen me pagesë.

REL-i kontaktoi njërin prej tyre në Prishtinë, ku iu tha se trendi i lindjeve përmes kësaj procedure është në rritje.

“Mbi 80% e rasteve kryhen me prerje cezariane”, tha shkurtimisht drejtuesi i spitalit.

Sipas disa mjekëve me të cilët bisedoi REL-i, ka edhe raste kur një spital e refuzon pacienten që nuk ka arsye mjekësore për prerje cezariane, porse “ajo i drejtohet pastaj një institucioni tjetër derisa ta arrijë qëllimin”.

Pse ndodh kjo?

Dërgut Aliu, obstetër/gjinekolog, i cili punon në një spital privat në Prishtinë, thotë se gjeneratat e reja, kryesisht, nuk duan t’i përjetojnë dhimbjet e lindjes dhe zgjedhin prerjen cezariane.

“Para 15 apo 20 vjetësh, shkalla e lindjeve me operacion në Kosovë ka qenë 10-15%, kurse sot është 40% ose më shumë”, thotë Dërguti.

Krijimi i një protokolli që do t’i udhëzonte si mjekët, ashtu edhe pacientet, është i domosdoshëm, thotë edhe ai dhe drejton gishtin nga institucionet.

“Ministria e Shëndetësisë duhet të veprojë sa më parë”, thotë gjinekologu.

“Po të ekzistonin protokollet, nëse ato nuk do të respektoheshin, mjeku do të duhej të jepte përgjigje ose një arsyetim të fortë”, sipas tij.

Shkrimin e plotë mund ta gjeni KETU: