AGK-ja dënon ndërhyrjen politike në punën e KPM-së nga deputetët e LVV-së

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të premten u mbajt një mbledhje, në të cilën u kërkua shkarkimi i Bordit të KPM-së. Kjo për shkak të rikthimit të transmetimit të kanaleve “Arena Sport”, të cilat ishin ndaluar pasi kishin dhënë mesazhe glorifikuese për terroristët e Banjskës.

Në lidhje me këtë gjë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), të cilët e kanë konsideruar këtë kërkesë të LVV-së si ndërhyrje politike në punën e Komisionit të Pavarur të Mediave, raporton Zeri.info.

Në reagim thuhet se gjatë kësaj mbledhje anëtarët e KPM-së iu nënshtuan një presioni publik të paprecedent dhe se iu është cënuar integriteti dhe dinjiteti personal atyre.

AGK-ja thotë se sjellja e partisë në pushtet prodhon mosbesim të qytetarëve në institucionet e pavarura dhe në punën e KPM-së.

“Dëgjimi ‘mbikëqyrës’ ishte manifestim i drejtpërdrejtë i ndërhyrjes politike nga ana e LVV-së në pavarësinë e anëtarëve të KPM-së me qëllim të frikësimit të tyre, denigrimit publik dhe shtrimit të rrugës për shkarkimin e tyre. Kjo ndërhyrje duhet të shihet si sulm në pavarësinë e një institucioni që Kushtetuta e parasheh të jetë i pavarur dhe përgatitje e kapjes politike në tërësi nga ana e VV-së të këtij institucioni posa të kompletohet korniza ligjore që tashmë është në Kuvend”, thuhet në reagim.

AGK-ja më tej u ka bërë thirrje deputetëve të LVV-së që t’i ndalin sulmet e tilla që e cënojnë pavarësinë e KPM-së dhe të përmbahen nga komentimi publik i vendimeve të marra nga ky institucion. /Zëri