Nënkryetari Zogaj pas prishjes së koalicionit me PDK-në në Prishtinë: S’ka nevojë për zgjedhje të reja

Të enjten është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, ku u anulua vendimi për këmbimin e pronave në Badovc, ndërsa pas vendimit për anulim është prishur koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet.

Kjo seancë është thirrur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, për të anuluar vendimin e datës 21 dhjetor 2023 për këmbim të pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me prona në lagjen “Prishtina e Re”.

Në një përgjigje për Arbresh.info, nënkryetari i Komunës së Prishtinës Alban Zogaj ka thënë se janë duke analizuar situatën e re dhe do të merren veprimet e radhës.

Tutje, ai ka thënë se nuk ka nevojë për zgjedhje të tjera në Komunën e Prishtinës dhe se sa i përket se a do të hyjë LDK-ja me ndonjë parti tjetër në koalicion, ai ka thënë se do të shohim në ditët në vazhdim.

“Ne po analizojmë situatën e re dhe do të marrim veprimet e radhës. Nuk ka nevojë për zgjedhje, Asambleja vazhdon funksionimin. Do të shohim në ditët në vazhdim. Dhe do t’ju njoftojmë”, përfundoi ai.

Ndryshe, nënkryetari i PDK-së Uran Ismajli ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se kanë shkëputur koalicionin qeverisës me LDK-në.

Koalicioni mes LDK-së dhe PDK-së në nivel të qeverisjes komunale në Prishtinë është shkëputur zyrtarisht dje, pas shfuqizimit të vendimit për Badovc në Asamblenë Komunale të kryeqytetit.