Konjufca takon një delegacion të Bundestagut gjerman, flasin për marrëdhëniet midis dy vendeve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca gjatë ditës së sotme ka pritur në takim një delegacion të Grupit të Evropës Juglindore të Parlamentit të Gjermanisë, i drejtuar nga Josip Juratoviq.

Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë takimit u diskutua për proceset aktuale në Kosovë, për marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror në fusha të ndryshme, raporton Zeri.info.

“Kreu i Kuvendit e njoftoi delegacionin parlamentar gjerman me proceset nëpër të cilat po kalon vendi dhe punën e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e detyrave që dalin para tyre në këto procese, me theks të veçantë në rrugëtimin për t’u bërë pjesë e strukturave euroatlantike.

Konjufca, mes të tjerash, ka vlerësuar se Gjermania ishte në krah të Kosovës dhe qytetarëve të saj në çdo fazë të shtetndërtimit e të zhvillimit dhe potencoi rëndësinë e kësaj përkrahjeje në sfidat dhe objektivat që vendi ynë ka para vetes, në aspektin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.

Udhëheqësi i delegacionit të Bundestagut, Josip Juratoviq, gjithashtu ka falënderuar kryetarin Konjufca për pritjen, si dhe ka vlerësuar miqësinë midis dy vendeve, duke konfirmuar kështu edhe vazhdimin e mbështetjes së vendit të tij për Kosovën edhe në të ardhmen. /Zëri