Hoti: Ballafaqimi në KS, i panevojshëm dhe i dëmshëm për Kosovën

Ish-kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti ka bërë një vlerësim rreth mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, i mbajtur mbrëmë, ku pjesëmarrës ishte edhe Albin Kurti.

Hoti e ka quajtur këtë ballafaqim në Këshillin e Sigurimit totalisht të panevojshëm, joproduktiv dhe të dëmshëm për Kosovën.

“U dëshmua qartësisht se mungesa e bashkërendimit të veprimeve tona me aleatët ka pasoja për Kosovën. Mbrëmë ishte hera e parë që aleatët tanë kryesorë na kritikojnë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit”, shkroi Hoti.

Derisa, sipas tij, është për keqardhje që veprimet e Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë.

“Kjo qasje e qeverisë ‘Kurti’ nuk i shërben integrimit euroatlantik të Kosovës. Është për keqardhje që veprimet e drejta të Kosovës, të cilat asnjë aleat nuk i konteston në aspektin kushtetues, të na kthehen si bumerang për shkak të politikës së mbrapshtë, ku çdo veprim shtetëror i nënshtrohet interesit elektoral momental të partisë në pushtet”, shkroi Hoti. /Zëri